
TIRANË- Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u prit nga presidenti Begaj ditën e sotme në vizitën e tij shtetërore. Dy presidentët fillimisht patën një takim kokë më kokë dhe më pas një takim me delegacionet përkatëse.
Qendër e bisedave ishin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë dhe mënyrat për të përforcuar këto lidhje. Ata gjithashtu folën edhe për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Shqipërisë për antarësimin në NATO dhe po ashtu edhe për ndihmat që Shqipëria i dërgoi Turqisë pas tërmetit me të cilin u përball vendi turk.
“Jam shumë i përkushtuar që të fuqizojmë bashkëpunimin tonë vëllazëror, një bashkëpunim që mbetet prioriteti ynë, një bashkëpunim që u dëshmua me solidaritetin e popujve tanë përgjatë situatave të shkaktuara nga tërmetet. Ky bashkëpunim, do të një njohë rritje të mëtejshme me këtë vizitë dhe me nënshkrimin e marrëveshjeve përkatëse. Konfirmoj se Shqipëria ka një vullnet të fortë për të vijuar me avancimin e marrëdhënieve në çdo fushë të bashkëpunimit dypalësh. Mbajtja e Takimit të Dytë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë është mundësi e mirë për të diskutuar në mënyrë më të thellë dhe më konkrete bashkëpunimin dypalësh në fusha, si: siguria, mbrojtja, energjia e rinovueshme, ekonomia dhe tregtia, infrastruktura, turizmi, mjedisi dhe çështje të tjera thelbësore.
Shqipëria ka mbështetur vazhdimisht dhe pa rezerva zgjidhjen me dy shteteve të pavarura, që jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë. Turqia është ndër partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë. Investimet turke e bëjnë Turqinë partnerin e katërt më të madh tregtar të Shqipërisë. Mirëpresim kompanitë turke për të investuar në Shqipëri në sektorë të ndryshëm, si: infrastrukturë, turizëm, energji, teknologji, bujqësi, si dhe në industrinë e prodhimit dhe të përpunimit.” tha Begaj.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan zhvilloi sot një vizitë në Tiranë për të inauguruar hapjen e xhamisë së Namazgjasë. Erdogan mbërriti në vendin tonë, rreth orës 11:00. Erdogan fillimisht zhvilloi një takim me presidentin e vendit tonë, Bajram Begaj dhe më pas me kryeministrin Edi Rama. Me këtë të fundit zhvilloi edhe një mbledhje dhe një konferencë për shtyp./ZËRI