
TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka depozituar një rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar shfuqizimin e masës së sigurimit të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO. Berisha kërkon heqjen e masës detyrim paraqitje. Sipas “Top Channel” në rekursin e tij, Berisha në rekursin e depozituar ka renditur disa argumente për heqjen e masës “detyrim paraqitje”.
Në rekurs, Berisha nënvizon se prokurorët e SPAK kanë aplikuar një masë personale, pasi ekziston mundësia që ai të intimidojë dëshmitarët, pasi po shprehet kundër Prokurorisë së Posaçme dhe GJKKO. Sipas avokatëve, kjo është një përpjekje për të heshtur kreun e opozitës, aq me tepër kur liria e shprehjes është e garantuar me ligj. Gjithsesi në këtë pikë avokatët shtojnë se qëndrimet e Berishës janë kundër gjyqtarëve të caktuar dhe prokurorëve të caktuar dhe jo kundër GJKKO dhe SPAK.
Në lidhje me akuzën për intimidimin e dëshmitarëve kryedemokrati shprehet se hetimi është mbyllur dhe provat janë dorëzuar në gjykatë. Asnjë dëshmitar që është pyetur nga SPAK nuk ka pretenduar diçka të tillë thuhet më tej. Në rekurs, Berisha kërkon heqjen e detyrimit me paraqitje edhe me argumentin se gjyqtari i Apelit që i rrëzoi arrestin shtëpiak nuk ishte kompetent, sepse këtë verdikt duhet ta shpallte gjyqtari paraprak.
Masa e detyrimit me paraqitje u vendos në datën tre janar 2025 nga gjyqtari Engert Pëllumbi i cili hoqi masën e 'arrestit shtëpiak'. Berisha është urdhëruar që të paraqitet pranë SPAK, të hënë e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00.
Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Në dosjen e SPAK thuhej se dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi është bërë përfaqësues i familjeve që rezultonin pronare të tokës ku ndodhej ish-kompleksi Partizani, përmes prokurave, në të cilat premtohej se do të arrinin objektivat nëse vendosnin vendosur në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja. Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv./ZËRI