TIRANË- Kreu i PSD-së Tom Doshi ka reaguar pas deklaratës së Sali Berishës, se është arratisur nga vendi, pasi SPAK ka lëshuar urdhërarresti ndaj tij. Në një status të postuar në rrjetet sociale, që disa orë më pas është fshirë, Berisha pretendonte se Doshi ishte arratisur nga Shqipëria, pasi kishte marrë informacion për një masë sigurie që Prokuroria e Posaçme kishte vendosur ndaj tij.
Ndërkohë që në reagimin e tij, Doshi shkruan se është me miqtë e tij në zemër të Tiranës, duke konsumuar kafe i pashqetësuar nga paranojat. Ai e konsideron Berishën një mashtrues, që prej 20 vitesh hedh baltë kundër tij.
Tom Doshi: O Sali mashtruesi! Për 20 vjet ke shpif kundër meje. Nuk jam largu, jam këtu, në mes te Tiranes duke e pi kafen mes miqsh e jo mes paranojash. Nuk frikësohem se nuk e kam vjedhur popullin si ti!
Çfarë shkruante Berisha, në postimin që e ka fshirë në rrjetet sociale: Toma ia mbathi! Miq, gosipi i qytetit gumëzhiti mbrëmë anë e kënd e qoshe-qoshe të Tiranës se Tom Doshi u arrestua, se Tom Doshit i kanë prerë urdhër-arrestin skapistët e partisë dhe se Tom Doshi ishte diku larg apo te Rrapi e Treshit dhe sot në mëngjes do paraqitej burrërisht në SKAP për tu burgosur.
Sot në mëngjes gosipin e mori era dhe bashkë me të edhe urdhër-arrestin për Doshin, aleatin besnik të Ramaduros. Toma, që pardje ishte në Skap dhe dje u largua në drejtim të paditur, mbasi u urdhërua që t'ia mbathi. Rroftë drejtësia e Partisë së Krimit.
Pak ditë më parë kreu i PSD-së u thirr për t’u pyetur në Prokurorinë e Posaccme, ndërsa arsyet nuk u bënë publike. Gjatë ditës së sotme SPAK njoftoi se ka marrë të pandehur kryebashkiakun e Vaut të Dejës Kristjan Shkreli, i cili akuzohet se ka kryer korrupsion zgjedhor në favor të partisë që drejtohet nga Doshi.
"U pyeta për një çështje që nuk kishte lidhje me mua, ashtu siç ka thënë Erioni (Veliaj): kolegët të thërrasin edhe për çështje që nuk kanë lidhje me ty",- tha Doshi pas daljes nga SPAK dy ditë më parë. Më 24 shkurt të këtij viti, Tom Doshi u paraqit për herë të parë në Prokurorinë e Posaçme, ku u mor në pyetje për rreth 90 minuta. Pas daljes, ai u zbuloi për mediat se ishte pyetur për zgjedhjet në Rrogozhinë në 2023, duke shpjeguar se një nga personat që ka takuar gjatë një takimi elektoral ka qenë në përgjim nga SPAK./ZËRI
