TIRANË- Një sipërfaqe toke në zonën mes Drimadhës dhe Palasës çoi në përshkallëzimin dhe përdorimin e armëve në konfliktin mes Luan Muçës dhe Vasil Bedinajn. Pikërisht, një sipërfaqe toke, ku është parashikuar ndërtimi i resortit “Delta Falaise Resort & Village”, për të cilën ASHK thotë se i përket Zonës Kadastrale nr. 1739.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) sqaron për "Top Story", se regjistrimi fillestar i pronave në këtë zonë ende nuk ka përfunduar dhe pritet të mbyllet brenda vitit 2027.
Në vijim, Kadastra sqaron se shoqëria “Delta” sh.a. ka depozituar gjatë viteve 2019–2021 dokumentacion për disa tituj pronësie, të bazuar në kontrata shitblerjeje, vendime të ish-komisioneve të kthimit të pronave, vendime gjykatash dhe AMTP. Sipas ASHK, në korrik të vitit 2024, është regjistruar leja e ndërtimit për “Delta Falaise Resort & Village, Zona 1”.
Ndërkohë, ASHK thekson se subjekti tjetër i përfshirë në konfliktin e pretendimeve pronësore, nga verfikimi, nuk rezulton se të ketë paraqitur kërkesë apo të jetë pajisur me vërtetim pronësie për këtë zonë.
Por, ASHK thekson po ashtu se në të njëjtën sipërfaqe, është pajisur me vërtetim pronësie një individ tjetër. Pikërisht, kjo ka ngritur dyshime te ASHK për një falsifikim të mundshëm dhe për këtë arsye dokumentacioni i është përcjellë SPAK-ut në vitin 2025 për verifikim të mëtejshëm.
Sqarimi i ASHK:
Referuar përcaktimit të bërë në kërkesën tuaj për zonën “mes Drimadhës dhe Palasës”, sqarojmë se kjo hapësirë i përket Zonës Kadastrale nr. 1739, për të cilën procesi i regjistrimit fillestar, në Marrëveshje midis ASHK dhe Bashkisë Himarë, pritet të përfundojë brenda vitit 2027.
Në lidhje me dokumentacionin që lëshohet nga ASHK në rast interesimi për zhvillim të pronës, sqarojmë se, në zonat kadastrale ku nuk ka përfunduar ende regjistrimi fillestar, vërtetimi i pronësisë/vërtetimi hipotekor është prova se subjekti ka depozituar pranë ASHK-së dokumentet ligjore që disponon për titullin e pronësisë,.
Në kuptim të nenit 19, të Ligjit 111/2018 “Për Kadastrën”, pikës 24 të VKM nr. 782/2020, të ndryshuar, këto vërtetime janë të vlefshme për përdorim nga pronari dhe autoritetet publike deri në përfundimin e procesit të regjistrimit fillestar.
Sqarojmë po ashtu se regjistrimi fillestar është procesi nëpërmjet të cilit shqyrtohen dhe evidentohen titujt e pronësisë dhe, për titujt që plotësojnë kushtet ligjore për regjistrim, të dhënat përkatëse pasqyrohen në kartelën e pasurisë dhe në hartën kadastrale të zonës.
Nga të dhënat e administruara rezulton se:
Subjekti “Delta” sh.a. në vitin 2019, e më tej 2020, 2021 ka depozituar dokmentacion ligjor për disa tituj pronësie të fituar nëpërmjet kontratave të shitblerjes, origjina e të cilëve lidhet me vendime të ish-komisioneve të kthimit të pronave, me vendime gjykate dhe me AMTP. Gjithashtu, është regjistruar në regjistrin e vecante të lejeve të ndërtimit në datë 24.07.2024 leja e fituar nga subjekti në fjalë, për resortin “Delta Falaise resort & village, zona 1”, dhe kjo është e vetmja leje e regjistruar deri më sot lidhur me çështjen e interesit tuaj.
Sa i përket subjektit tjetër të përfshirë në konfliktin e pretendimeve pronësore me subjektin “Delta” sh.a., nga verifikimi i të dhënave të administruara nga ASHK rezulton se për zonën në fjale, nuk është paraqitur kërkesë dhe nuk është lëshuar shërbim për pajisje me vërtetim pronësie në emër të këtij subjekti. Por rezulton ndërkohë, se po aty është paraqitur kërkesë dhe është lëshuar në korrik 2024 vërtetim pronësie në emër të një individi tjetër, për një titull pronësie, origjina e të cilit rrjedh nga një vendim i ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Për këtë titull pronësie, në kuadër të verifikimeve administrative të kryera dhe për çështje që kërkojnë vlerësim nga organet kompetente, ASHK ka përcjellë në vitin 2025 pranë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, dokumentacionin përkatës duke qenë se ka pasur dyshime të arsyeshme për një falsifikim të mundshëm.
Për sa i përket kërkesës për vënien në dispozicion të kopjeve të dokumenteve origjinale të pronësisë apo dokumentacionit arkivor të subjekteve private, ASHK është e detyruar të respektojë parashikimet e ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, si dhe dispozitat e ligjit nr. 111/2018 “Për Kadastrën”, të cilat ndalojnë që dokumentacioni individual mbi një pasuri t’i vihet në dispozicion kujtdo tjetër përveç pronarëve/titullarëve të të drejtave pronësore ose personave që provojnë se kanë një interes të ligjshëm mbi pasurinë përkatëse”.
Çfarë ndodhi në Radhimë? Dinamika e ngjarjes
Paraditen e 3 shtatorit, rreth orës 11:30, në Hotel Regina, në pronësi të Vasil Bedinajt, shkuan 8 makina me 18 persona, mes tyre edhe dy vëllezërit Muça dhe truprojat e tyre të Sëat Security. Burime i thanë ZËRI, se ata ishin thirrur për sqarim nga Vasil Bedinaj. Ky i fundit ishte me personazhe të tjerë të botës së krimit, mes tyre edhe ish policë. Pasi kanë shkuar për të diskutuar, situata është tensionuar për shkak të një mosmarrëveshje në lidhje me një tokë në Dhërmi, siç raportoi edhe ZËRI. Me të dalë jashtë situata u agravua ku janë përdorur edhe armët. Ndërkohë vijon hetimi për të saktësuar dinamikën dhe personat e përfshirë./ZËRI