TIRANË- Ish-numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj, ka publikuar disa sekuenca të audiopërgjimeve, të cilat, sipas tij, hedhin dritë mbi një aferë që përfshin interesa biznesi, pasuri publike, kompani shtetërore dhe trafikun ndërkombëtar të armëve.
Në qendër të denoncimeve të Ahmetajt është biznesmeni amerikano-izraelit Ron Yeffet dhe kompania "KAYO", një nga pikat kryesore të denoncimit. Po ashtu, Ahmetaj përmend edhe ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, të cilin e identifikon me pseudonimin “Ermal Raketa”, duke pretenduar se ky emërtim lidhet me rolin e tij në çështjet që ai ngre gjatë intervistës.
Bëhet fjalë për një material përgjimi rreth 3 orë në Monako, ku amerikano-izraeliti, Ron Yeffet është një prej personave kryesorë të përmendur. Në biseda, sipas materialit të publikuar nga Ahmetaj, Yefet komunikon me persona të tjerë për kompani, tenderë, pajisje ushtarake. Gjithashtu, sipas Ahmetaj, bisedat tregojnë marrëdhëniet me institucionet shqiptare dhe ato të vendeve të tjera dhe rolin që kanë pasur.
KAYO në Shqipëri
Në një prej sekuencave të publikuara, Ahmetaj ka veçuar një bisedë ku, sipas tij, diskutohet mënyra se si mund të anashkalohen garat dhe procedurat e tenderimit përmes krijimit të kompanive të tipit KAYO në Shqipëri.
“Kompania do të jetë amerikane që ti mbyllim gojën dhe ambasadës amerikane”. Ai është i qartë se si do shmangen garat e tenderat me anë manipulimit të ngritjes së kompanive tip Kayo, në Shqipëri, ndërkohë që bashkëbiseduesit thonë se në qeverinë Ukrainase blerja e makinave dhe pajimeve ushtarake nuk mund te kalojë pa garë. Një moment krucial është ai kur Ron Yeffet u thotë bashkëbiseduesve: “ne jemi ngarkuar nga qeveria shqiptare për të kryer punët e këqia", një bisedë e shkëputur nga Ron Yeffet me bashkëbiseduesit e tij.
Ahmetaj e lidh këtë me një skemë më të gjerë, madje duke përmendur emra nga kryeministri Edi Rama, me pretendimin se pas këtyre marrëdhënieve qëndrojnë interesa të mëdha ekonomike dhe politike.
TIMAK Defence (pronësia dhe aktiviteti i kompanisë)
Ish-zëvendëskryeministri ka hedhur akuza të forta mbi mënyrën se si po funksionon industria e re ushtarake e ngritur nga qeveria, duke vendosur në qendër TIMAK Defence. Bëhet fjalë për kompaninë e krijuar nga bashkimi i privatit me KAYO-n shtetërore në sektorin e industrisë ushtarake.
Ahmetaj hedh akuza dhe pretendon se 80% e kompanisë zotërohet nga privati përmes TIMAK-ut, ndërsa shteti, përmes KAYO-s, ka 20%, ndërkohë që kompania ka përfituar para publike.
Ai gjithashtu ngre pikëpyetje mbi aktivitetin e kompanisë. Ahmetaj pretendon se ka një aktivitet minima, me 14 punonjës dhe një kosto vjetore prej rreth 140 mijë eurosh.
“TIMAK Defence ka 14 punonjës, me një kosto prej 140 mijë euro në vit. Kjo kompani ka bërë vetëm 240 mijë lekë pajisje ushtarake. Kapitali i TIMAK Defence është negativ, pra Ron Yeffet nuk ka investuar asgjë, por ka futur tubin në buxhetin e shtetit për të thithur paratë e shqiptarëve. Ka marrë veç një tender 3.1 milionë euro dhe s’ka investuar asgjë”, deklaroi Ahmetaj.
"Ermal Raketa"
Një prej çështjeve të ngritura prej tij lidhet me tenderët publikë. Këtu, sipas Ahmetaj, hyn në rol edhe "Ermal Raketa". Bëhet fjalë për një tender me vlerë 14.4 milionë euro për avionë zjarrfikës, për të cilin Ahmetaj ngre pikëpytje mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe personat që, sipas tij, lidhen me të.
“Kanë hapur tenderin me 14.4 milionë, plus ose minus, euro për dy avionë ‘floating’, pra jo me goma, por me gomone, le ta themi. I është thënë me argumente tekniko-shkencore që duhet të jenë me goma. S’ka pranuar, sepse kreu i organizatës e ka pasur të drejtpërdrejtë logjikën që do të shkonte te ‘Air Tractor’”, tha Ahmetaj.
Këtu, ish-zëvendëskryeministri shpjegon edhe pseudonimin “Ermal Raketa”, me të cilin, sipas tij, Nufi njihet brenda Forcave të Armatosura. Ahmetaj pretendon se informacioni i ka ardhur nga brenda strukturave ushtarake dhe e lidh këtë nofkë me një episod të ndodhur kur Nufi ishte zëvendëssekretar i përgjithshëm.
Për këtë, ai citon një episod të Nufit me kreun e organizatës, ku ky i fundit i drejtohet: "‘Ermal, ti po më zhgënjen’, Ermali çohet në këmbë dhe i thotë: ‘Unë për ty bëj dhe raketë!’. E firmos. Dhe Forcat e Armatosura tash kanë filluar i thonë Ermal Raketa.", pretendon Ahmetaj.
Trafiku ndërkombëtar i armëve
Një tjetër tjetër pjeë e fortë nga përgjimet e Ahmetaj ëshë ajo e trafikut ndërkombëtar të armëve. Sipas Ahmetajt, armët vijnë nga vende të Afrikës, paketohen ose do të paketohen në Shqipëri dhe më pas marrin rrugën drejt destinacioneve të tjera.
“Është vetëshpjeguese. Jemi duke folur për trafik ndërkombëtar armësh. Dhe jo në kuadër të marrëveshjes, në sytë e NATO-s, që ka Shqipëria me Ukrainën. Jo. Jemi duke folur për trafik armësh nga vendet e Afrikës, që do paketohen në Shqipëri, ose që paketohen në Shqipëri, dhe që pastaj marrin rrugën... Jemi duke folur për trafik të pastër armësh”, deklaroi Ahmetaj.
Ahmetaj ka ngritur akuza të forta për këtë skemë të dyshuar. Nga fondet publike te trafiku i armëve, Ahmetaj kërkon që materialet e publikuara prej tij, të hetohen nga autoritetet kompetente./ZËRI