TIRANË- Ekspozita "Peisazhet Sound of Albania" do të na 'prezantojë' me projektin gjigand turistik në Gjirin e Krorëzës në Sarandë. Bëhet fjalë për një ekspozitë që do të shfaqë një përzgjedhje të kuruar të projekteve bashkëkohore shqiptare, duke krijuar një hapësirë gjithëpërfshirëse ku vizitorët mund të përjetojnë diversitetin dhe kreativitetin e arkitekturës moderne në vend.
Arkitekti Giovanni Ferrara, do të prezantojë projektet Sarandë, Colosseum 339 dhe Krorëz. Le të ndalemi të ky i fundit, Krorëzi, gjiri i virgjër dhe i rrethuar nga pyje dhe kodra, duke krijuar një peisazh të bukur larg betonizimit. Plazhi i Krorëzës njihet për natyrën e tij të paprekur dhe aksesin e kufizuar, i cili ka tërhequr vizitorë që udhëtonin me varka ose përmes një shtegu të gjatë ecjeje prej 1 ore e 30 minutash.
Por, kjo panoramë duket se nuk do jetë për shumë gjatë, pasi projekti turistik i përmasave të frikshme, do t'i zërë vendin natyrës dhe do të 'zaptohet' nga betoni. Bëhet fjalë për projektin "Hillside" që do të ndërtohet nga kompania fituese "Invest Society" e Dajlan Avdias, me lompleks vilash dhe resortesh që zbresin kodrave deri te plazhi.
Aktualisht nuk ka një datë zyrtare dhe të konfirmuar për nisjen e punimeve në projektin e madh të zhvillimit turistik në zonën e Krorëzës, ndëra nuk janë bërë publike detaje të plota për projektin. Deri më tani dihet se Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit (KKT) miratoi lejen e zhvillimit për projektin në Krorëz në fund të nëntorit 2024. Por, nuk janë bërë publike afatet e nisjes së punimeve./ZËRI