TIRANË- Biznesmeni italian Massimo Ferro, 54-vjeç, nga Camposampiero, ka ndërruar jetë në Shqipëri më 22 dhjetor, pas një operacioni për ngushtimin e stomakut. Pas përpjekjeve të dështuara për të humbur peshë dhe disa dietave të pasuksesshme, 54-vjeçari iu drejtua një klinike private në Milano, e cila i premtoi një zgjidhje afatgjatë, por ndërhyrja kirurgjikale do të kryhej në Tiranë. Më datë 18 dhjetor, Ferrro iu nënshtrua operacionit për ngushtim stomaku, por diçka shkoi keq dhe 54-vjeçari humbi jetën më 22 dhjetor në Shqipëri.
Për të hedhur dritë mbi ngjarjen, prokurori i Padovës, Andrea Girlando, ka regjistruar si të dyshuar kirurgun Andrea Formiga dhe dietologen Alessandra Freda, të dy nga Lombardia. Autopsia mbi trupin e Massimo Ferro do të kryhet të hënën në Padova, nga mjeku ligjor Antonello Cirnelli, i caktuar nga prokuroria.
Media italiane Corriere della Sera ka raportuar lajmin, ku familjarët e biznesmenit kanë denoncuar se procedurat e standardizuara për kirurgjinë e obezitetit nuk u respektuan: nuk kishte vlerësim multidisiplinar, përgatitje dietike paraprake apo teste të plotë para operacionit. Pacienti, i diagnostikuar me diabet tip II dhe me peshë 108 kilogramë, kishte marrë vetëm udhëzimin të mos ushqehej natën para ndërhyrjes.
Sipas denoncimit, ditën pas operacionit situata përkeqësohej: temperatura dhe vështirësitë në frymëmarrje u rritën, ndërsa trajtimi me antibiotik u vonua. Më 20 dhjetor, ai pati ethe prej 38 gradë Celsius dhe u trajtua me paracetamol. Më 21 dhjetor, me temperaturën që i rritej në 39 gradë Celsius dhe vështirësi të rënda në frymëmarrje, ai u dërgua në urgjencë të spitalit publik Nënë Tereza në Tiranë. Atje, ai iu nënshtrua analizave, por antibiotiku - sipas ankesës - iu dha vetëm atë mbrëmje, përpara se të dërgohej përsëri në klinikë. Gjatë natës, gjendja e Ferros u përkeqësua më tej. Mëngjesin e 22 dhjetorit, ai pësoi një arrest kardiak në klinikë. Ai u ringjall dhe u transferua me ambulancë në njësinë e kujdesit intensiv në spitalin publik. Pasdite, mjekët e shpallën gjendjen e tij të qëndrueshme, por atë mbrëmje gruaja e tij mori një telefonatë emergjente: kur ajo mbërriti, Massimo Ferro kishte qenë tashmë i vdekur prej orësh.
Sipas medias italiane, kontakti i parë mes Ferro-s dhe kirurgut kishte ndodhur në dhjetor përmes mesazheve në ëhatsApp, ku iu dhanë informacionet për ndërhyrjen, kostot dhe organizimin logjistik. Çmimi i operacionit, 4,400 euro, ishte shumë më i ulët se afërsisht 15,000 euro të kërkuara në Itali. Në takimin e 6 dhjetorit 2025, Ferro u shfaq me djalin e tij të madh. Kirurgu i shpjegoi procedurën , duke e siguruar atë për teknikën laparoskopike dhe shpejtësinë e procedurës. Edhe pse pacienti kishte diabet të tipit 2 dhe peshonte 108 kg, operacioni ishte planifikuar për 18 dhjetor në Tiranë , në klinikën "motër" të asaj në Milano. Testet paraoperative, të cilat Ferro nuk mundi t'i kryente në Itali, u shtynë direkt për një ditë para operacionit në Tiranë.
Deri më sot, raporton familja, askush nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë përfundimisht shkakun e vdekjes. "Ne vetëm duam të dimë pse Massimo nuk u kthye në shtëpi", shkruajnë gruaja e tij, Romina, dhe fëmijët./ZËRI