KLOS- Prej 29 ditësh i zhdukur, është gjetur sot trupi i pajetë i 30-vjeçarit, Jurgen Karaj, i cili dyshohet se e mori rrjedha e ujit pas aksidentit në Klos, më 10 janar. Mësohet se trupi i 30-vjeçarit është gjetur 30 metra larg vendit të aksidentit, në liqenin e Ulzës në fshatin Urakë. Aksidenti ndodhi më datë 10 janar dhe që prej asaj dite, kërkimet në lumë janë zhvilluar pa ndërprerje. Në operacion kanë marrë pjesë edhe ekipe nga Kosova me mjete dhe pajisje speciale.
Njoftimi:
Mat/ Gjatë operacionit të pandërprerë të kërkimit për gjetjen e shtetasit J. K., në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lumin e fshatit Urakë, u gjet një trup i pajetë, i cili dyshohet se i përket shtetasit J. K., 30 vjeç, i cili më datë 10 janar 2026 u mor nga rrjedha e përroit të fshatit Dars.
Në operacionin e kërkimit u angazhuan polumbarët e RENEA-s, Forca Kombëtare e Sigurisë, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forcat e Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcat Speciale të Kosovës, si dhe forca vullnetare dhe familjarë.
Trupi i pajetë do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, me qëllim përcaktimin e saktë të identitetit dhe shkaqeve të humbjes së jetës.
Sipas hetimeve, Jurgen Karaj ndodhej si pasagjer në automjetin që drejtohej nga 24-vjeçari Andi Losha, i cili humbi kontrollin dhe përfundoi në përrua, në fshatin Dars, Klos. Nga verifikimet rezulton se drejtuesi i mjetit ka arritur të dalë nga uji, por është larguar nga vendngjarja pa njoftuar policinë dhe pa i dhënë ndihmë mikut të tij, i cili mbeti në mes të rrjedhës së ujit.
Pas ndalimit, Andi Losha iu nënshtrua testit të alkoolit, ku rezultoi se e kishte drejtuar automjetin në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. 24-vjeçari akuzohet për largim nga vendi i aksidentit dhe mosdhënie ndihme, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë, Jurgen Karaj vijon të rezultojë i zhdukur./ZËRI


