Aktualitet

Bllokim total në juglindje! Prokuroria e Elbasanit nis hetimet për shembjen e aksit Librazhd-Pogradec! Kreu i ARRSH: Gjendja e përkeqësuar

Hetimet kanë nisur kryesisht ndaj kompanisë që po punon për zgjerimin e Korridorit të VIII në zonën e Dragostunjës ku ka ndodhur rrëshqitja masive e tokës. 

zh.ll
Bllokim total në juglindje! Prokuroria e Elbasanit nis hetimet për
ami kozeli-aksi Librazhd-Pogradec

ELBASAN- Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetim për dëmtimet që kanë sjellë bllokimin tërësor të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd-Pogradec. Hetimet kanë nisur kryesisht ndaj kompanisë që po punon për zgjerimin e Korridorit të VIII në zonën e Dragostunjës ku ka ndodhur rrëshqitja masive e tokës. Sipas burimeve, hetimi do të fokusohet në shkaqet që çuan në rrëshqitjen masive e cila shembi rrugën, linjën hekurudhore, linjat elektrike e rrezikon më tej.

Përmes një njoftimi publik, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka njoftuar se ky procedim penal është regjistruar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”. Për këtë qëllim është krijuar një grup hetimor.

Bllokim total në juglindje! Prokuroria e Elbasanit nis hetimet për
prokuroria elbasan

Situata në segmentin rrugor është përkeqësuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit për shkak të rrëshqitjes së tokës dhe fundosjes së urës, duke rritur rrezikun për çdo lloj qarkullimi. Rrëshqitja masive e dheut ka izoluar plotësisht zonën, duke e bërë të pamundur kalimin jo vetëm për mjetet e transportit të rëndë dhe automjetet private, por edhe për autoambulancat dhe zjarrfikëset.

Zona mbetet e izoluar dhe nën monitorim të vazhdueshëm, ndërkohë që problematikat vijojnë. Një tjetër situatë shqetësuese është krijuar pas zhvendosjes dhe fundosjes së bazamentit të shtyllës së tensionit të lartë 110 kV, nr. 15, që lidh HEC Egnatia me nënstacionin e Librazhd. 

Problematika është konstatuar pas lëvizjeve të tokës në zonë, duke ngritur alarmin për sigurinë e linjës së transmetimit. Burime bëjnë me dije se gjeologë të specializuar po bëjnë vlerësimin teknik të terrenit për të përcaktuar shkakun e zhvendosjes dhe rrezikun potencial për përkeqësim të mëtejshëm. Nga ana tjetër, autoritetet theksojnë se aktualisht linja po mbahet nën kontroll të plotë teknik, ndërsa çdo ndërhyrje do të kryhet me prioritet maksimal për të garantuar sigurinë e rrjetit dhe furnizimin e qëndrueshëm me energji për zonën.

Ndërkohë, Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, tha se aktualisht rruga Librazhd-Pogradec është e papërdorshme për qarkullim. Kozli tha se kontraktori ka punuar gjatë mbrëmjes, por pavarësisht kësaj, aksi vijon të jetë i mbyllur dhe mund të hapet ditën e nesërme. 

"Gjatë gjithë mbrëmjes është vijuar me punimet nga ana e kontraktorit dhe ka pasur ritme të mira. Ura dhe terreni kanë patur lëvizje edhe gjatë mbrëmjes; ura paraqitet në një plan zhvendosje 40 cm, 7 cm nga dita e djeshme. Kontraktori vijon punimet intensivisht, por aksi vijon të jetë i mbyllur, në shpresojmë shumë të mund ta hapim ditën e nesërme.

Jemi në pritje të rezultateve dhe rekomandimeve të shërbimit gjeologjik shqiptar. Rezultatet paraprake tregojnë se ka një plan rrëshqitjeje deri në 7 metra. Ky sezon dimëror ka qenë jashtë normales; çdo vit në këtë sezon të vitit ka probleme të rrëshqitjeve, por si kurrë më parë kemi qenë 3 muaj pa ndërprerje shirash. Gjithë dokumentacioni është i rregullt nga ana e kontraktorit.

Raporti i shërbimit gjeologjik do të na japë rekomandimet për masat që duhet të ndërmarrim; më pas mblidhemi me këshillin teknik dhe të adresojmë zgjidhjen. Ura është e vitit ’97 dhe me dëmtimet që ka pësuar këto ditë e bën më të degraduar dhe jashtë funksionit", tha Kozeli.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB