TIRANË-Pas marshimit të 14 qershorit, ku qytetarët në ditën e 15-të protestës bllokuan për disa orë autostradën Tiranë-Durrës dhe rrugën e Rinasit, Policia ka proceduar penalisht 19 persona. Blutë njoftojnë se ishin organizatorët dhe përgjegjësit për tubimin që i kanë bërë thirrje qytetarëve që të vijojnë marshimin në drejtim të Aeroportit “Nënë Tereza”.
Në hetim janë vendosur Gentjan Progni, Arilda Lleshi, Arvina Lleshi, Ilir Farruku, Ergys Hysa, Arben Kola, Fatjon Rrapaj, Visuar Dalipi, Orgito Bilalaj, Defrim Lika, Ledajon Nerguti, Algersi Kopaçi, Aleksandro Mango, Timoteo Manaj, Kristjan Zyka, Bledar Patlli, Gjon Ndoi, Luçiana Kokaj dhe Irini Myftaraj.
Ata akuzohen për 3 vepra penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”. Po ashtu, lidhur me bllokimin e rrugës, janë sekuestruar edhe 2 automjete, që dyshohet se janë përdorur për këtë qëllim.
Njoftimi i policisë:
Organizuan dhe nxitën qytetarët për të bllokuar rrugën, procedohen penalisht 19 shtetas.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë përgjegjës për bllokimin e aksit rrugor në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera pas tubimit të zhvilluar më datë 14.06.2026, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kryen veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin dhe procedimin penal të personave organizatorë dhe përgjegjës për bllokimin e rrugës në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Në përfundim të veprimeve hetimore, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit:
G. P., 36 vjeç; A. Ll., 29 vjeçe; A. Ll., 27 vjeçe; I. F., 32 vjeç; E. H., 33 vjeç; A. K., 46 vjeç; F. Rr., 28 vjeç; V. D., 29 vjeç; O. B., 21 vjeç; D. L., 57 vjeç; L. N., 20 vjeç; A. K., 29 vjeç; A. M., 23 vjeç; T. M., 24 vjeç; K. Z., 22 vjeç; B. P., 34 vjeç; Gj. N., 39 vjeç; L. K., 33 vjeçe; I. M., 24 vjeçe, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Si dhe janë sekuestruar dy automjete.
Nga veprimet hetimore rezulton se më datë 14.06.2026, rreth orës 18:00, ishte njoftuar zhvillimi i një tubimi në sheshin “Skënderbej” dhe më pas përpara godinës së Kryeministrisë, në Tiranë. Tubimi ishte parashikuar të zhvillohej nga ora 18:00 deri në orën 22:00.
Gjatë zhvillimit të tij, sipas veprimeve hetimore të kryera, drejtues dhe organizatorë të tubimit kanë bërë thirrje për vazhdimin e lëvizjes së pjesëmarrësve nga zona përpara Kryeministrisë në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve në këtë aks rrugor.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Çfarë ndodhi mbrëmjen e 14 qershorit
Rreth orës 00:26, pas mesnate, protestuesit mbërritën te mbikalimi i Rinasit. Më pas marshimi vijoi drejt aeroportit të Rinasit, ku qëndruan deri në orën 02:00 të mëngjesit të sotëm. Policia vendosi kordon në mënyrë që protestuesit të mos arrinin në aeroportin Nënë Tereza. Uniformat blu u bënë thirrje protestuesve që të mos bllokonin rrugën dhe se veprimet e tyre ishin të paligjshme. Pas disa minutave rezistencë, qytetarët vendosën të largoheshin pas.

