ITALI- Elson Leka, 35-vjeç është arrestuar nga Policia italiane, pasi dyshohet se ka kryer një seri sulmesh dhe kërcënimesh ndaj një të riu italian dhe babait të tij. Mediat fqinje raportojnë se ngjarja ka lidhje me një borxh të pazgjidhur për drogën, që fillimisht ishte vetëm 1,000 euro, por që u kthye në një seri akteve të dhunshme.
Leka dyshohet se ka përdorur mjete të ndryshme për të detyruar shlyerjen e borxhit, duke përfshirë kërcënime me armë, dhunë fizike dhe deri tek hedhja e një lënde shpërthyese në banesën e familjes italiane. Akti më i rëndë i ndodhi në periferi të Romës, ku Leka, në shoqërinë e disa bashkëpunëtorëve, sulmoi fizikisht 23-vjeçarin dhe babain e tij. Gjatë përplasjes, i riu u përpoq të mbrohej, ndërsa babai i tij u dhunua rëndë.
Ngjarjet filluan që nga gushti i kaluar, kur i arrestuari dyshohet se i shiti kokainë të riut italian. Kur viktima nuk arriti të paguante në kohë, shqiptari nisi një seri sulmesh dhe kërcënimesh për ta detyruar të shlyente borxhin.
“Nëse nuk paguan, do të vras”,- ishte shprehur shqiptari.
Policia dhe hetuesit arritën të mbledhin prova të mjaftueshme falë pamjeve nga kamerat e sigurisë dhe hetimeve të tjera, duke çuar në ekzekutimin e urdhrit të arrestit dhe shoqërimin e shqiptarit në burgun Rebibbia të Romës./ZËRI