Aktualitet

'Masat ekstreme në qeli'/ Avokatja e Popullit dhe 2 komisionerë vizitojnë Veliaj në burg

Dyshohet se vizita u realizua pas një ankese të bërë nga Veliaj.

F.I
'Masat ekstreme në qeli'/ Avokatja e Popullit dhe 2
Erion Veliaj

TIRANË-Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, së bashku me dy komisionerët Ahmet Prençi dhe Besnik Dedja, kanë kryer sot një vizitë në burgun e Durrësit, ku ndodhet i paraburgosur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Dyshohet se vizita u realizua pas një ankese të bërë nga Veliaj.

Ankesat e Veliajt raportohet se kanë qenë prej kohësh në verifikim, por sot kryesuesja e institucionit e ka vizituar nga afër kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës. Konkretish bëhet për një denoncim publike se kryebashkiaku Erion Veliaj dhe kreu i PL Ilir Meta po mbaheshin në kushte tepër të këqija në qeli dhe asakohe Avokati i Popullit nisi kryesisht një verifikim.

Vetë Veliaj kishte paraqitur një ankesë për masat ekstreme të sigurisë që u zbatuan gjatë shoqërimit të tij në një spital të Durrësit, ku ai iu nënshtrua një ekzaminimi periodik. Në atë rast, transferimi i tij për në spital ishte kryer nga dhjetëra forca policie, ndërsa disa prej tyre qëndruan të pranishëm në dhomën e mjekut edhe gjatë kohës që ai kryente ekzaminimet mjekësore.

Kujtojmë se Gjykatës Kushtetuese vendosi pezullimin e shkarkimit nga detyra si kryebashkiak të Erion Veliajt. Gjykata arsyetoi se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria kanë vepruar në shkelje të Kushtetutës kur shkarkuan Erion Veliajn me argumentin se nuk u paraqit 3 muaj në detyrë. 

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll

MOS HUMB