DURRËS- Kati i parë në burgun e Durrësit vijon të jetë nën pushtetin e ujit, që prej ditës së djeshme, ndërsa një pjesë e të dënuarve janë zhvendosur në qelitë e kateve të mësipërme. Si pasojë e rritjes së ndjeshme të nivelit të ujit, në hyrje të burgut sot ka dhe një gomone, që po përdoret nga punonjësit, për të hyrë në ambientet e brendshme. Gjatës ditës së djeshme, në ambientet e burgut u krye një inspektim dhe nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose.
Qyteti i Durrësit, dhe veçanërisht zona e ish-Kënetës, janë prekur rëndë si pasojë e përmbytjeve, që nisën që prej orëve të para të mëngjesit të djeshëm.
Të paktën 800 banesa të përmbytura dhe 304 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Sipas të dhënave paraprake nga shtabi i emergjencave në prefekturë, rreth 800 banesa janë përmbytur, kryesisht në zonat më të ulëta dhe më problematike, si ish-Këneta, Spitalla, Nishtulla dhe zona të tjera. Edhe në burgun e Durrësit situata mbetet problematike. Oborri dhe kati i parë i godinës ka prani të lartë uji.
Mësimi nuk po zhvillohet as sot në disa shkolla oborret e të cilave janë nën ujë. Deri mbrëmjen e kaluar janë evakuuar 304 persona, ndërsa numri i të prekurve mund të rritet, në varësi të situatës në terren dhe verifikimeve. Ndërkohë, uji është tërhequr nga rrugët kryesore dhe nga autostrada Durrës-Tiranë, duke normalizuar qarkullimin, por në disa lagje vijon prania e ujit dhe nevoja për ndërhyrje emergjente për banorët e izoluar që nuk ia dalin dot pa ndihmë.
Banesa, biznese, studio artistësh, sipërfaqe të tëra tokash u përmbytën; dhjetra automjete u dëmtuan nga uji si rezultat i situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe mosfuksionimit normal të rrjetit të kanalizimeve./ZËRI