LEZHË-Personat në foto janë tre autorët e dyshuar të atentatit me armë zjarri ku mbetën të vrarë Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij, Gentiana Mujeci. ((Majtas Florin Mëhillaj, në mes Adriano dhe djathtas Renato Mëhillaj). Të rinjtë dyshohet se kanë kryer vrasjen për motive hakmarrjeje. Policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera, por nuk është bërë e mundur gjetja e tyre dhe janë shpallur në kërkim.
Renato Mëhilli është djali i Genc Mëhillit të vrarë në vitin 2016, ndërsa Adriano dhe Florin janë dy nipat e tij. Viktima Mujeci, së bashku me dy vëllezërit e tij, Lin Mujeci dhe Jozef Mujeci, dyshohen për vrasjen e Gegë Mëhilli, i njohur dhe si Gent Mëhilli.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë e gjithë ngjarja ka zgjatur pak më shumë se një minutë. Gjatë përgjimeve ambientale të kryera për këtë rast, Adriano flet me Florin Mëhillaj për përgatitjet për atentatin. Për të kryer ekzekutimin janë përdorur dy automjete, një 'Audi A4' në pronësi të Adriano Mëhillit dhe një 'Volkswagen'. Bazuar në pamjet filmike të kamerave të sigurisë automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e Kreshnik Mujecit. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volkswagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit ku udhëtonte çifti Mujeci dhe është qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të tyre./ZËRI