Aktualitet

Të transmetohen live seancat? GJKKO rrëzon kërkesat e Veliajt: Do të qëndrojë në kafaz, është si hotel me 5 yje

Veliaj ka përcjellë kërkesat e tij përmes dy deklaratave zyrtare nga Drejtoria e Burgjeve.

zh.ll
Të transmetohen live seancat? GJKKO rrëzon kërkesat e Veliajt: Do
erion veliaj

TIRANË- Në GJKKO është mbajtur sot seanca e radhës për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili nuk është paraqitur fizikisht në sallë, pasi ka zgjedhur të përfaqësohet nga avokati i tij.

Veliaj ka përcjellë kërkesat e tij përmes dy deklaratave zyrtare nga Drejtoria e Burgjeve. Sipas burimeve, ai është shprehur se nuk dëshiron të jetë i pranishëm në seancë. Në një tjetër kërkesë të lexuar gjatë seancës, Veliaj ka kërkuar që seancat gjyqësore të transmetohen live, në mënyrë që publiku të ketë mundësi të ndjekë nga afër ecurinë e procesit.

Megjithatë, prania e kamerave në sallë nuk është lejuar, pasi një tjetër i pandehur, Elman Abule, nuk ka dhënë pëlqimin për t’u filmuar.

Nga ana tjetër, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfaqësohet në këtë proces nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado. Burime në gjyq bëjnë me dije se Dumani është shprehur kundër kërkesës së Veliajt, duke argumetuar se transmetimi live nuk përbën problem për organin e akuzës, por mund të shqetësojë procesin. 

Pjesë nga debati në gjyq:

Dumani: Gjyqi live? Ne, si organ akuze, nuk kemi problem, por mund të shqetësojë procesin. Në çështjet penale ku ka dëshmitarë, aq më tepër bashkëpunëtorë të drejtësisë, nuk lejohet transmetimi live. Kjo nuk ndodh as në rajon, as në Europë, as në gjyqet federale në SHBA. Mund të lejohen kamerat për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen.”

Dado: Pse vetëm ti do të flasësh? Prit, se kërkoi fjalën prokurori.

Dumani: Kemi dy muaj që kemi kaluar në themel dhe vijojmë me seancat paraprake. Avokatët e Veliajt, në mënyrë të përsëritur, paraqesin kërkesa artificiale, sipas gjykimit tonë, me qëllim zgjatjen e shqyrtimit gjyqësor.

Ndreca: Kam treguar korrektësi dhe profesionalizëm. Prokurori nuk ka sjellje etike; tërhiqini vëmendjen. Thuajini se është palë e barabartë në këtë proces. Ne nuk kemi qëllim të zvarrisim procesin. I vetmi që mbahet në burg është Erion Veliaj dhe ai ka interes që ky proces të ecë sa më shpejt. Ne nuk pranojmë të ecim pa qenë një proces i rregullt ligjor.”

Gjatë kësaj seance, GJKKO ka rrëzuar kërkesat e Erion Veliaj dhe avokatit të tij, Plarent Ndreca, i cili kërkoi që t’i vendosen dispozicion në mënyrë të dixhitalizuar të gjithë fashikujt hetimorë. Sipas gjykatës, mbrojtja ka pasur mundësi të njihet me provat, të cilat i janë vënë në dispozicion edhe fizikisht Veliajt.

Po ashtu, u rrëzua edhe kërkesa tjetër, që kryebashkiaku Veliaj të mos mbahet në kafaz gjatë gjykimit. Mësohet se prokurori Ols Dado ka deklaruar në gjyq se qëndrimi i tij në kafaz nuk përbën problem, pasi struktura e xhamit ka një të hapësirë përmes së cilës mund të komunikohet. 

“Lidhur me kërkesën e avokatëve që Erion Veliaj të mos mbahet në kafaz, nuk besojmë se përbën problem. Nuk është kafaz, por një strukturë xhami dhe ka edhe një të çarë aty që mundëson komunikimin. Kushtet e GJKKO janë shumë të mira, si në një hotel me 5 yje”, tha Dado.

Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe të pandehurve të tjerë.

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll

MOS HUMB