Aktualitet

“Dekriminalizohet shpifja por jo fyerja”, organizatat e mediave protestë para Kuvendit: Ndryshimet në Kodin Penal të jenë të plota

Ata theksuan se shpifja duhet dekriminalizuar jo vetëm për gazetarët e regjistruar, por edhe për aktivistët e të drejtave të njeriut apo advokuesit e tjerë të fjalës së lirë

E.K
“Dekriminalizohet shpifja por jo fyerja”, organizatat e mediave
blerjana bino

TIRANË- Organizatat e medias kanë protestuar sot në mënyrë simbolike përpara Kuvendit, pasi në seancën e sotme pritet që të kalojnë për votim ndryshimet e reja në Kodin penal, që synojnë sopas mazhorancës dekriminalizimin e shpifjes së gazetarëve. Sipas përfaqësueses së njërëz prej këtyre organizatave, Blerjana Bino, drafti që pritet të miratohet sot nuk përmbush standardet e Bashkimit Evropian dhe as kërkesat e komunitetit të medias për garantimin e plotë të lirisë së shprehjes.

“Së pari, teksti parashikon mbrojtje dhe dekriminalizim të shpifjes vetëm për gazetarët që janë të regjistruar dhe të njohur. Kjo nuk është një zgjidhje e plotë. Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një regjistër për gazetarët”, thuhet në deklaratë. Organizata thekson se çdo përpjekje për të rregulluar profesionin përmes regjistrimit sjell pasiguri juridike dhe cenon lirinë e shprehjes, duke frenuar jo vetëm gazetarët, por edhe aktivistët e shoqërisë civile që shprehin mendime kritike.

Sipas organizatës, këto shqetësime ndahen edhe nga struktura të tjera vendase dhe ndërkombëtare. Organizata e medias nënvizojnë se reforma për dekriminalizimin e shpifjes nuk i zgjidh të gjitha problemet që lidhen me lirinë e medias dhe se nevojitet një reformë më e thellë, që të adresojë kushtet e punës, presionet politike dhe garanci të tjera për pavarësinë e gazetarëve. Në përfundim, gazetarët i bëjnë thirrje mazhorancës dhe deputetëve të Kuvendit që ta përmbyllin këtë reformë në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse, duke shmangur ndryshime sipërfaqësore që nuk garantojnë mbrojtje reale për lirinë e shprehjes.

“Kemi ndjekur me kujdes ndryshimet në Kodin Penal. Pavarësisht se disa prej tyre janë ndryshime pozitive, me keqardhje vëmë re se drafti që do të miratohet sot nuk përmbush standardet e BE-së dhe kërkesat tona për lirinë e shprehjes. Së pari, teksti parashikon mbrojtje dhe dekriminalizim të shpifjes vetëm për ata gazetarë që janë të regjistruar dhe të njohur. Kjo nuk është një kërkesë e plotë. Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një regjistër për gazetarët.

Çdo përpjekje për të rregulluar profesionin sjell pasiguri juridike dhe frenon lirinë e shprehjes. Kjo nismë frenon edhe aktivistët e shoqërisë civile për t’u shprehur. Këto nuk janë shqetësime vetëm tonat, por edhe të shumë strukturave të tjera. Duam të theksojmë se reforma për dekriminalizimin nuk i zgjidh të gjitha sfidat. Kërkohet një reformë më e gjerë, që përfshin kushte më të mira pune dhe mbrojtje nga presionet politike. Kërkohet një agjendë më e thellë dhe jo ndryshime të cekëta. Kërkojmë që mazhoranca dhe deputetët e Kuvendit ta përmbyllin këtë reformë në mënyrë të plotë”, tha Blerjana Bino, përfaqësuesja e Organizatës së Medias.

Aktivistët shprehën më tej shqetësimin lidhur me kategorinë e fyerjes, e cila mbetet akoma një vepër penale.

“Mbajtja në fuqi e veprave penale si fyerja, minon efektivitetin e reformave të pjesshme, duke lejuar që shprehja kritike të ndiqet penalisht dhe duke ruajtur presionin e së drejtës penale mbi fjalën e lirë”, thanë përfaqësuesit e medias përpara Kuvendit.

Më 21 Janar 2026, në Komisionin për Çështjet Ligjore në Kuvendin e Shqipërisë u miratua një paketë e gjerë ndryshimesh në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Një prej këtyre ndryshimeve përkon pikërisht me dekriminalizimin e veprës penale të shpifjes për gazetarët, por duke iu referuar vetëm gazetarëve të regjistruar dhe të njohur.

Pavarësisht se organizatat e medias i mirëpritën këto ndryshime duke i quajtur si vullnet politik, ato shprehen se miratimi i tyre nuk arrin ende objektivin përfundimtar të një përafrimi të qëndrueshëm legjislativ me standardet evropiane për të mbrojtur shprehjen me interes publik në Shqipëri./ZËRI 

Poll

MOS HUMB