
SHËNGJIN- Punonjësit socialë të “Medihospes”, që erdhën nga Italia në Shqipëri për t’u kujdesur për procesin e riatdhesimit të emigrantëve, do të largohen nga Shëngjini për t’u rikthyer në vendin e tyre. Ata do të largohen nga Shqipëria të dielën. Sipas “TGCom”, ministria e Brendshme tha se qendrat do të mbeten funksionale dhe të mbikqyrura, por stafi është reduktuar dhe ndryshon sipas nevojave të momentit.
Në Gjadër janë vetëm 7 punonjës të Medihospes që merren me administrimin dhe pastrimin, si edhe staf shqiptar, përfshirë personelin shëndetësor. Deri më tani për shkak të Gjykatës së Romës janë shfaqur probleme në akomodimin e emigrantëve në kampin e Gjadrit, gjë që ka rezultuar në rikthimin mbrapsht të refugjatëve në Itali.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar. Por deri më tani qendrat janë bosh. /ZËRI