
TIRANË- Dështon sërish seanca në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për inceneratorin e Fierit.
Shkak për shtyrjen e seancës së sotme u bë mungesa e dy avokatëve të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. Njëri prej tyre, Denis Karaj u gjobit me 5 mijë lekë të reja, ndërsa Mërtiri paraqiti shkresë në sekretarinë e gjykatës, ku njoftoi se kishte një problem shëndetësor, ndaj edhe nuk mund të merrte pjesë në seancë.
Nga ana tjetër, Karaj njoftoi Gjykatën e Posaçme se ishte jashtë vendit, por justifikimi i tij për të marrë pjesë në seancë nuk u mor parasysh dhe iu vendos gjobë. Në këto kushte të moszhvillimit të seancës, takimi i radhës për të denuarit u la në datën 18 tetor, ora 11.00.
Ish-ministri Lefter Koka ndodhet në burg për aferën e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit. Në shtator të vitit të kaluar Gjykata e Posaçme shpalli vendimet për dosjen e inceneratorit të Elbasanit, për Lefter Kokën dhe personat e tjerë të akuzuar. Ish-ministri i Mjedisit u dënua me 6.8 vite burg duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar. Lefter Koka është shpallur fajtor për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Sa i përket të akuzuarve të tjerë, dënimi u lehtësua në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie për Alqi Bllakon; Klodian Zoto u dënua me 12 vjet burg. Pafajësi mori edhe ish-administratorja e inceneratorit të Fierit, Arjola Kodra./ZËRI