Aktualitet

Detaje të reja nga vrasja e 14-vjeçarit në Maliq: Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë, viktima tentoi të mbrohej me karrige

Ditën e ngjarjes, Erald Xhejo dhe një shok i tij kishin shkuar në fshatin Pirg për t’u qethur në një berberhanë pranë lokalit ku ndodhi krimi.

l.k
Detaje të reja nga vrasja e 14-vjeçarit në Maliq: Ngjarja
Erald Xhejo

MALIQ- Janë zbardhur detaje të reja tronditëse nga vrasja e 14-vjeçarit Erald Xhejo në fshatin Pirg të Maliqit. Sipas dosjes hetimore, krimi është paralajmëruar disa ditë më parë, kur autori, gjithashtu i mitur kishte shkuar me makinë në fshatin Zvirinë dhe, përpara lokalit të xhaxhait të viktimës, kishte xhiruar gomat në mënyrë demonstrative, duke dhënë sinjale për një konflikt të mundshëm.

Ditën e ngjarjes, Erald Xhejo dhe një shok i tij kishin shkuar në fshatin Pirg për t’u qethur në një berberhanë pranë lokalit ku ndodhi krimi. Në atë moment, ata kanë parë autorin që kalonte me makinë pranë lokalit dhe i kanë fishkëllyer, me qëllim që t’i afrohej për të sqaruar një konflikt të mëparshëm.

Sherri verbal mes dy adoleshentëve u përshkallëzua shumë shpejt. Autori ndaloi makinën, zbriti dhe nisi një debat me viktimën. Gjatë konfliktit, nxori thikën. 14-vjeçari tentoi të mbrohej me një karrige, por u pengua duke bërë hapa pas dhe në atë moment u godit me thikë. I gjithë incidenti është kapur nga kamerat e sigurisë së lokalit dhe pamjet janë sekuestruar nga grupi hetimor si prova kyçe.

Policia ka bërë me dije se autori i mitur është arrestuar së bashku me babain dhe xhaxhain e tij, të cilët dyshohet se kanë fshehur thikën me të cilën u krye vrasja. Po ashtu janë ndaluar edhe katër të mitur të tjerë, të cilët ishin të pranishëm gjatë konfliktit dhe akuzohen se kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ndërkohë, 34-vjeçari Flori Çela është arrestuar për moskallëzim krimi, pasi dyshohet se ka qenë në dijeni të ngjarjes, por nuk ka njoftuar autoritetet./ZËRI/

 

 

 

Poll

MOS HUMB