Aktualitet

"Pse shikon?"/ Zbardhet dinamika e vrasjes së 14-vjeçarit në Maliq! Arrestohet autori i mitur, babai, xhaxhai dhe 5 të tjerë!

E gjitha ndodhi pasditen e djeshme, pas një sherri banal që kishte nisur mes dy adoleshentëve. Edhe kësaj here, përplasja ishte për një: Çfarë ke që më shikon?

k.m.
"Pse shikon?"/ Zbardhet dinamika e vrasjes së 14-vjeçarit
Erald Xhejo

MALIQ- Një thikë në zemër ka ripërsëritur skenarin e vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani. Vetëm se kësaj here ngjarja ka ndodhur në Maliq të Korçës, ku 14-vjeçari Erald Xhejo u vra nga bashkëmoshatari i tij, në ambientet e jashtme të një lokali. Për ngjarjen janë vendosur në pranga 8 persona, vetë autori, babai dhe xhaxhai i tij, 4 të mitur të tjerë dhe një 34-vjeçar, i identifikuar si Flori Çela. E gjitha ndodhi pasditen e djeshme, pas një sherri banal që kishte nisur mes dy adoleshentëve. Edhe kësaj here, përplasja ishte për një: Çfarë ke që më shikon?

Sipas bashkëmoshatarëve të tjerë që janë marrë në pyetje, dy të miturit kishin disa muaj që kishin "fërkime" dhe përplasje me njëri-tjetrin. Përplasje që e reflektonin edhe në rrjetet e tyre sociale. Në disa postime, autori i ngjarjes ka pozuar edhe me armë zjarri, duke e shoqëruar foton me përshkrimin: Shfaqem kur s'ta pret mendja!

"Pse shikon?"/ Zbardhet dinamika e vrasjes së 14-vjeçarit

Derisa dje u shfaq në të njëjtin lokal ku ishte dhe viktima, në fshatin Pirg. Të dyja palët kanë qenë të shoqëruar me të mitur të tjerë dhe ka nisur përleshja. Xhejo është qëlluar disa herë me thikë, por një goditje në zemër ishte fatale për të. I lënduar nga e gjithë përplasja ka mbetur edhe autori, por dëmtimet e tij nuk janë me mjet prerës. Për të, raportohet se është në gjendje jo të mirë emocionale pasi ka kuptuar se i ka marrë jetën të miturit tjetër, megjithatë ky detaj nuk është i konfirmuar nga Policia. 

Sot në një njoftim zyrtar, blutë e Korçës kanë bërë me dije se kanë vendosur në pranga të miturin, të atin dhe xhaxhanë e tij, pasi fshehën thikën me të cilën u krye krimi. Katër të miturit e arrestuar kanë gjithashtu të pranishëm në konflikt dhe akuzohen se kanë tentuar që të pengojnë zbulimin e së vërtetës, ndërsa 34-vjeçari Flori Çela akuzohet për moskallëzim krimi.

NJOFTIMI I POLICISË:

Maliq/Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika e vrasjes së 14-vjeçarit, kryer dje, në fshatin Pirg. Për këtë rast, Policia e Korçës arrestoi 8 shtetas: -14-vjeçarin autor të dyshuar të vrasjes, i cili pas kryerjes së krimit, tentoi të largohej nga vendngjarja, me automjet; -babanë dhe xhaxhanë e autorit të dyshuar, pasi fshehën mjetin prerës (thikë), me të cilin u krye krimi; -4 të mitur, të pranishëm gjatë konfliktit mes 14-vjeçarëve, të cilët nëpërmjet deklarimeve në Polici, tentuan të pengojnë zbulimin e së vërtetës; -një 34-vjeçar, gjithashtu i pranishëm gjatë konfliktit, i cili tentoi të largohet nga vendngjarja, në të njëjtin automjet me 14-vjeçarin.

Sekuestrohen mjeti prerës (thikë), automjeti me të cilin tentuan të largoheshin 2 shtetasit dhe 5 celularë. Në vijim të veprimeve hetimore dhe policore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP-Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq dhe në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, në lidhje me ngjarjen e djeshme, në fshatin Pirg, ku u vra me mjet prerës (thikë), një 14-vjeçar, dyshohet nga një bashkëmoshatar i tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, u vunë në pranga:

-shtetasi E. G., 14 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprat penale "Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit" dhe "Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt". 14-vjeçari u dëmtua lehtë, gjatë konfliktit. Ai mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe la ambientet e spitalit, ditën e djeshme; -shtetasit E. G., 44 vjeç dhe R. G., 44 vjeç, përkatësisht babai dhe xhaxhai i 14-vjeçarit, për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës"; -4 të mitur, banues në fshatin Zvirinë, për veprat penale "Moskallëzimi i krimit" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës"; -shtetasi F. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Ngjarja e Maliqit ngjall kujtimin e hidhur të asaj që ndodhi vetëm pak muaj më parë me adoleshentin tjetër, Martin Cani, i cili po ashtu u vra me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij. Martin Cani u vra pranë shkollës, mes një grindjeje që u kthye në tragjedi. Në të njëjtat rrethana u vra edhe i mituri në Maqli, por kësaj here pranë një lokali./ZËRI

Poll

MOS HUMB