SARANDË-Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë në zonën e Vrinës, Konispol, ku u zbulua lëndë eksplozive e vendosur në automjetin e një 57-vjeçari. Pronari i mjetit, Mirash Gjikola i cili konstatoi vetë tritolin në sediljen e pasme të mjetit, u shpreh për hetuesit se nuk është i përfshirë në asnjë konflikt.
Në fakt Gjikola, rezulton një person me precedent penal, i dënuar më herët me 8 vite burg për tentativë vrasjeje. Në vitin 2012 Gjikola plagosi me armë zjarri brenda një lokali, Dedë Kovaçin. Sipas burimeve policore, Gjikola ishte zhvendosur prej kohësh nga Lezha dhe jetonte aktualisht në Shëndëlli, pranë Konispolit.
Në lidhje me ngjarjen në kërkim i dyshuar si autor është shpallur Dedë Gjini, banues në Lezhë. 54-vjeçari akuzohet për veprat penale "Shkatërrimi i Pronës me eksploziv", "Kanosja" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit", në ngarkim të Mirash Gjikolës.
Ende nuk dihet aryseja e konfliktit mes tyre, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë./ZËRI