Aktualitet

Dhunuan të miturin që qarkullonte me armë zjarri, pezullohen nga puna 3 efektivët e Policisë

Arrestimi i të miturit, i cili kishte me vete një armë zjarri tip pistoletë dhe një dorezë metalike, ka ndodhur ditën e djeshme, pranë një qendre tregtare në këtë zonë.

k.m.
Dhunuan të miturin që qarkullonte me armë zjarri, pezullohen nga
Pamje nga videoja

TIRANË- Një 15-vjeçar është dhunuar nga 3 efektivë të Policisë së Shtetit në zonën e Fushë Mëzezit në Tiranë. Pas publikimit të pamjeve të dhunës, të tre efektivët janë pezulluar nga detyra. Në njoftimin e bërë me dije për mediat, Policia njofton se ka pezulluar: -Inspektor R. H., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6; -Inspektor B. A., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6; -Nënkomisar A. K., me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Nr.6.

Arrestimi i të miturit, i cili kishte me vete një armë zjarri tip pistoletë dhe një dorezë metalike, ka ndodhur ditën e djeshme, pranë një qendre tregtare në këtë zonë. Në pamjet e mëposhtme, shihet qartë se si policët e godasin me grushta në kokë të miturin, ndërkohë që ai mundohet që t'u shmanget goditjeve. Pasi dhuna përfundon, policët e shoqërojnë deri te makina 15-vjeçarin, i cili u arrestua pas informacioneve që dikush i kishte dhënë Policisë për armët që ai mbante me vete.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë:

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pasi u njoh me një video të publikuar në rrjetin social JOQ, në të cilën shfaqen 3 punonjës policie që shkelin rregulloren e Policisë së Shtetit, gjatë veprimeve operacionale për arrestimin e një 15-vjeçari që qarkullonte me armë zjarri në Fushë-Mëzez, menjëherë ka pezulluar nga detyra 3 punonjësit e Policisë, konkretisht:

-Inspektor R. H., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;
-Inspektor B. A., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;
-Nënkomisar A. K., me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Nr.6.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në zbatim të Nenit 121 të Ligjit Nr.82, viti 2024 "Per Policine e Shtetit" ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të nisur ecurinë disiplinore ndaj punonjësve të Policisë, për shkelje të rëndë. Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën, nga punonjësit e Policisë, dhe i fton sërish ata, që të denoncojnë çdo rast të tillë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm./ZËRI

Poll

MOS HUMB