
KORÇË-Hyrja e një pallati në Korçë është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar panik tek banorët. Zjarri ka rënë në banesën e shtetasit Andrea Lako, i cili jeton i vetëm dhe ka probleme të mëdha ekonomike. Sipas banorëve, shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike, pasi pallati është i vjetër dhe instalimet elektrike janë jashtë kushteve.
Banorët e pallatit janë nxjerrë menjëherë jashtë për të shmangur rrezikun, por një grua e moshuar është transportuar në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen, të shkaktuara nga tymi i dendur që mbushte gjithë shkallët e pallatit. Një banor i pallatit tregon se kur kanë mësuar për zjarrin, të gjithë kanë dalë jashtë duke u frikësuar nga intensiteti i flakëve dhe tymit. Ai tregoi se Andrea Lako është një njeri që ka mbetur pa mbështetje, ndërsa ata janë përpjekur ta ndihmojnë sa kanë mundur me ushqim dhe ndihma të tjera.
Zjarrfikësit dhe shërbimi i emergjencës janë njoftuar menjëherë dhe kanë mbërritur në vendngjarje për të shuar flakët./ZËRI