MAMURRAS- Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja në aksin rrugor Krujë–Mamurras, ku pas një konflikti mes dy drejtuesve të mjeteve, njëri prej tyre ka mbetur i vdekur. Raportohet se sherri mes viktimës Petrit Ndou dhe Andi Vokrit, erdhi për makinat, se kush do të kalonte i pari, në një rrugë me një kalim.
Konflikti ka agravuar në dhunë fizike, ku Vokri ka goditur për vdekje me çekiç Petrit Ndoun, 57 vjeç. Viktima ka humbur jetën si pasojë e një plagë të rëndë në kokë, ndërsa në vendngjarje është gjetur edhe një çekiç, i cili dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
Autori është shoqëruar menjëherë nga uniformat blu dhe po merret në pyetje nga grupi hetimor. Paralelisht, policia po mbledh dëshmitë e dëshmitarëve okularë, si dhe po analizon provat materiale për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
Në dëshminë e tij në komisariat, i riu ka deklaruar se situata i ka dalë jashtë kontrollit, dhe ai nuk kishte si qëllim që t’i merrte jetën Ndout.
“Nuk doja ta vrisja, ishte konflikt i çastit dhe situata më doli nga kontrolli”, ka deklaruar 28-vjeçari në komisariat. /ZËRI
