TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për një tjetër fraksion të Dosjes 5D dhe ka kërkuar dënimin e 7 zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës në kuadër të “Dosjes 5D” që u gjykua me procedurë të zakonshme. SPAK kërkoi dënimin me 39 vite burg për 7 të pandehur.
Konkretisht SPAK, ka kërkuar 11 vite burg për ish-drejtorin e Bashkisë së Tiranës Redi Molla, 9 vite burg për ish-drejtorin Mariglen Qaton dhe 4 vite për Taulant Tushen. Për të pandehurit e tjerë, SPAK kërkoi 2 vite burg për Albano Jankun, nga 3 vite burg për Enton Punavijan dhe Julian Zanaj, 7 vite burg për Nestor Muhametllari. Krahas dënimit, SPAK kërkon që të pandehurit të mos ushtrojnë funksione publike për 5 vite.
Zyrtarët e Bashkisë së Tiranës akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Redi Molla dhe Mariglen Qato thotë SPAK, kanë qenë pronarët “de facto” të shoqërisë 5D Konstruksion sh.p.k, duke përdorur pronarë fiktivë, ndërsa vetëm në këtë dosje të dërguar për gjykim kanë marrë 12 tendera duke përfituar rreth 2 milionë euro në periudhën 2016-2020.
Më herët, Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor duke dënuar katër prej të pandehurve që u gjykuan në proces të ndarë për dosjen “5D”, por që nuk do të bëjnë asnjë ditë burg. Drejtoresha e klubit shumë-sportësh, Deborah Keçi, me tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Renaldo Gjerazi u dënuan me shërbim prove për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera./ZËRI