TIRANË-Besmir Dervishi, komandohet nëndrejtor i Policisë së Tiranës. Më herët, këtë post e ka mbajtur Erion Ismaili, i cili u pezullua nga detyra në kuadër të aksionit të SPAK, pas hetimeve për tenderët në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Dervishi më herët ka mbajtur disa detyra në Policinë e Shtetit, si shef i komisariatit numër 3 dhe 5 në Tiranë, si dhe së fundmi ishte shef i Seksionit të Krimeve ndaj Pronës në DVP Tiranë.
Pezullimi i Erion Ismailit
Në dosjen e SPAK, siguruar nga ZËRI, në dëshminë e dhënë nga Gerond Meçe, raportohet se Ismaili nëpërmjet një personi ende të paidentifikuar, në periudhën janar-shkurt 2025 i kishte kërkuar Meçes që të qëndronte sa më larg nga AKSHI.
Lidhur me arsyen e mos bërjes së denoncimit nga ana e biznesmenit në polici lidhet me faktin që nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, kohë më parë nëpërmjet një personi që për momentin nuk i kujtohet, në janar-shkurt 2025 i kishte kërkuar që të qëndronte sa më larg nga AKSHI. Një muaj më vonë, nëndrejtori inskenon një praktikë hetimi nga Prokuroria e Tiranës dhe i dërgon biznesmenit Gerond Meçe në kompaninë e tij, 'ABA Tower' një letër ku brenda thuhej se Prokuroria e Tiranës kërkonte informacion bankar dhe informacion nga sigurimet për të dhe familjen e tij.
Hetimet e SPAK dyshohet se përfshijnë rreth 12 procedura tenderimi, ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Sipas burimeve hetimore, përveç shkeljes së barazisë në tendera, autoritetet po hetojnë edhe qarkullimin e fondeve të përfituara nga këto kontrata, për të verifikuar elementë të mundshëm të pastrimit të parave.
Operacioni konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të SPAK në sektorin e prokurimeve publike dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa hetimet pritet të thellohen edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë zyrtarë dhe përfaqësues biznesesh./ZËRI
