TIRANË-Prokuroria e Posaçme dhe Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zgjeruar hetimet lidhur me grupin kriminal të trafikut të drogës e pastrimit të parave, pjesë e të cilit janë biznesmeni Artur Shehu, Artur alias Luçiano Koçeku, Alfredo Hamzai, Ilir Shtufi, Orest Sota e Orgest Birçaj. Rrjeti kriminal i pastronte paratë e drogës kryesisht në biznese, ndërtime dhe projekte investimesh.
Lidhur me këtë skemë të faktuar nga përgjimet e Sky Ecc në dosjen e SPAK, me miratimin e Gjykatës, janë ushtruar kontrolle pranë Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), ku janë sekuestruar dhjetëra dosje që lidhen me kompanitë e përfshira në këtë hetim. Raportohet se praktikat e sekuestruara kanë të bëjnë me leje ndërtimi për kulla, resorte dhe projekte të investimeve strategjike.
Sipas weblajm dosjet e sekuestruara lidhen me ndërtime në disa nga zonat më të lakmuara të vendit, përfshirë bregdetin shqiptar, Palasën, Gjirin e Lalzit, Vlorën dhe Tiranën.