ELBASAN-Autorët e atentateve përdorin kapele, maska silikoni apo edhe bark artificial, metoda nga më të ndryshmet për të mos u identifikuar nga kamerat e sigurisë, por një mënyre e çuditshme e cila i ngjan një skene filmi është përdorur në plagosjen e trefishtë në Elbasan mbrëmjen e 20 korrikut.
Autori ende i paidentifikuar iveshur me një xhup të zi, me doreza, parukë bjonde dhe një maskë Halloween-i u afrua drejt lokalit ku ndodhej objektivi i tij, po për shkak të pamjes së tij, ai është ndjekur për disa minuta nga pesë fëmijë të rastësishëm, të cilët e shoqëronin me të qeshura duke u përpjekur të luanin me të.
Pasi arriti t'i shmangte të miturit, autori iu afrua verandës së lokalit dhe qëlloi me gjashtëë plumba në drejtim të tavolinave ku qëndronin klientët, duke lënë të plagosur Armand Tomorrica, Renaldo Mancei dhe kamarieri i lokalit, Biorgi Hoxha. Pasi qëlloi autori u largua në këmbë nëpër rrugicat e lagjes, duke i shpëtuar një efektivi që gjendej rastësisht në lokal dhe u vu në ndjekje të tij. Gjatë arratisjes autori hodhi armën e krimit, e cila është sekuestruar.
Hetuesit dyshojnë se asnjë nga të plagosurit nuk ishte shënjestër e atentatit. Grupi hetimor ka dyshime se objektiv i atentatit të ketë qenë nipi i Kastriot Kilës, i njohur si “Oti i Elbasanit”, një personazh i njohur në botën e krimit. Kastriot Kila ka qenë në të njëjtën bar-kafe në momentin kur autori me maskë silikoni dhe me paruke me flokë të gjata ka qëlluar në drejtim të tyre. Nipi i Ot Kilës mësohet se ka qenë i ulur në të njëjtën tavolinë me dy prej të plagosurve.
Të pyetur nga grupi hetimor, të plagosurit që tashmë janë jashtë rrezikut për jetën kanë deklaruar se nuk e njohin autorin dhe nuk janë të përfshirë në asnjë konflikt. Ndërkohë, në pyetje është marrë edhe nipi i Ot Kilës, i cili po ashtu ka mbajtur të njëjtin qëndrim duke thënë se nuk ka asnjë konflikt./ZËRI

