TIRANË-Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka kërkuar gjykim të shkurtuar në lidhje me çështjen për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Konkretisht Beqaj ka kërkuar nëpërmjet fjalës së tij para GJKKO që çështja penale të pushohet, ose në të kundërt dokumentet t’i kthehen SPAK-ut për përfundimin e hetimit. Në rast se dosja i transferohet gjykatës, ish-ministri ka kërkuar gjykim me procedurë të përshpejtuar. Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut të 2024 për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur dyshime se ish-ministri Beqaj si drejtues i SASPAC, ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga agjencia për menaxhimin e fondeve të BE, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera. Përfitues i parave ka qenë vetë ish-ministri dhe bashkëpunëtorët e tij, por ende SPAK nuk e ka një shifër ekzakte. Aktualisht, SPAK ka sekuestruar 14.3 mln lekë, 15 mijë e 500 euro dhe 42 mijë e 300 $, që iu përkisnin shtetasve Ilir Beqaj, Gazment Haxhia, Ermal Kurtulaj, Bjona Zijaj, Bledar Leka dhe Elton Marini.
Sipas SPAK të gjitha shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve që organizonte SASPAC përgjatë vitit 2023 nuk i janë nënshtruar asnjë procedure prokurimi të rregullt. Por në çdo rast fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më përpara se të realizohet procedura e prokurimit. Prokurimi është bërë fiktivisht sa për efekt të dokumentacionit. SPAK ka dalë në përfundimin se tenderat janë urdhëruar nga Beqaj.
Edhe shoqëritë tregtare nuk kanë ofruar shërbime, por kanë mashtruar në bashkëpunim me Beqajn dhe Kurtulajn për të marrë përfitime të parregullta. Ish-ministri Beqaj akuzohet edhe për deklarim të rremë të pasurisë që nga viti 2020, ndërsa SPAK i ka bërë edhe listën e pasurive që i ka sekuestruar./ZËRI
