Aktualitet

Dosja ‘Toyota Yaris’, GJKKO nis gjykimin për ish-kreun e Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka

GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për kalimin e tij në gjykim. Ish-prokurori Zarka akuzohet për "korrupsion" dhe "ushtrim ndikimi".

k.m.
Dosja ‘Toyota Yaris’, GJKKO nis gjykimin për ish-kreun e
Aurel Zarka

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka veçuar çështjen për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka.

GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për kalimin e tij në gjykim. Ish-prokurori Zarka akuzohet për "korrupsion" dhe "ushtrim ndikimi". Nga ana tjetër, GJKKO ka veçuar dosjen për tre persona të tjerë, përfshirë ish-oficerin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Erjona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe Astrit Vladin, pasi ata janë ende në kërkim dhe nuk janë arrestuar.

Të pandehurit akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm për të ndryshuar rrjedhën e hetimeve dhe lehtësuar të akuzuarit e dosjes së parë, të grupit që po kontrabandonte nëpërmjet linjës Angli-Belgjikë-Gjermani-Shqipëri rreth 3,4 mln euro cash, para që erdhën të futura në thasë e të fshehur në makina “Toyota Yaris”, që importoheshin dhe shiteshin në vendin tonë.

Astrit Vladi akuzohet si personi që ka përfituar nga këto ndikime. Ai ishte marrë i pandehur për dosjen e 3,4 mln eurove bashkë me kushëririn e tij, Elvis Vladi.

SPAK i akuzon po ashtu edhe për favorizim të Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit. Hetimet ndaj tyre nisën mbi bazën e të dhënave nga SKY ECC që autoritetet franceze iu vendosën në dispozicion SPAK. Gjatë hetimeve u zbuluan komunikimet e të pandehurve për çështjet, ndërsa u pyetën dhe një numër i lartë gjyqtarësh e prokurorësh, si dhe njerëz të politikës, të cilët përmendeshin në komunikimet mes të pandehurve, por ndaj tyre nuk janë gjetur prova.

Çfarë është dosja “Toyota Yaris”

Kjo çështje është bërë si fillim publike nga Lulzim Basha, i cili akuzoi kreun e Grupit të Partisë Socialiste Taulant Balla si të përfshirë në marrjen e 3.4 milionë eurot. Akuzat, socialisti i cilësoi si shpifje duke ngritur padi ndaj tij për shpifje dhe dekonspirim të operacionit. Pikërisht kjo deklaratë ndryshoi planet e operacionit kriminal të Alfred dhe Elvis Vladit. Makinat supozoheshin të niseshin nga porti Ankonës por devijuan rrugën dhe u nisën nga porti i Barit. Balla e fitoi gjyqin ndaj Bashës, i cili u gjobit me 50 mijë lekë gjobë për shpifje./ZËRI

Poll

MOS HUMB