TIRANË- Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka arrestuar në Durrës Adi Çobën, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të përbashkët italo-shqiptar "Ura", që goditi një rrjet të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Mësohet se prangosja është kryer në Durrës nga agjentët e BKH-së, pa përfshirjen e Policisë së Shtetit. Arrestimi vjen vetëm pak orë pasi kreu i SPAK, Klodian Braho, deklaroi publikisht se në raste të veçanta struktura e posaçme po shqyrton mundësinë që arrestimet të kryhen nga vetë BKH-ja.
Lidhur me operacionin dhe rrethanat e arrestimit pritet të dalin detaje të tjera në vijim.
Sipas hetimeve të autoriteteve italiane dhe Prokurorisë së Posaçme, Adi Çobo konsiderohet një nga drejtuesit e organizatës kriminale, me rol kyç në sigurimin dhe transportimin e sasive të mëdha të heroinës dhe kokainës drejt Italisë.
Deri vitin e kaluar, emri i Adi Çobës rezultonte tërësisht i panjohur për drejtësinë shqiptare, por për herë të parë shfaqet në skenë pas operacionit Ura që goditi një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. Ai mbetet një figurë misterioze, por në dosjen e drejtësisë italiane për këtë operacion, Adi Çoba shfaqet si organizatori i rrjetit të trafikut të kokainës në Itali.
Në dosjen italiane thuhet se Adi Çoba, "në cilësinë e kreut dhe promovuesit të grupit, merrte dhe dërgonte në Itali korrierë që sillnin sasi të mëdha heroine dhe kokainë, të furnizuara nga Shqipëria dhe Holanda përmes veprimtarisë së paligjshme të anëtarëve të tjerë të grupit”.
34-vjeçari Adi Çoba, me origjinë nga Durrësi, rezulton i lindur më 7 gusht 1991. Në dosjen hetimore të autoriteteve italiane ai përmendet me disa nofka, të përdorura brenda grupit kriminal, si "Bazholi", "Bisha", "I shëndoshi" dhe "Cigani", identitete me të cilat, sipas hetuesve, njihej nga bashkëpunëtorët e tij./ZËRI