GREQI-Autoritetet policore greke kanë arrestuar 8 persona, të akuzuar si pjesëtarë të një grupi kriminal që shiste drogë në Mykonos. 4 efektivë të policisë greke dhe 4 shqiptarë, përfshirë dhe një person tjetër në kërkim, bashkëpunonin me njëri-tjetrin duke rihedhur në treg drogë të sekuestruar nga policia.
Mediat greke raportojnë se mes të arrestuarve është një 42-vjeçar, efektiv policie, i cili është identifikuar si një nga liderët e grupit. Në llogarinë bankare të tij dhe partneres së tij 29-vjeçare shqiptare, autoritetet greke gjetën 5 milionë Euro. Paratë në këtë llogari bankare janë depozituar gjatë 5 viteve të fundit. Në lidhje me shumën efektivi ka deklaruar se kanë ardhur nga lojërat e fatit.
Bashkëpunëtorët e tij ishin një Shef Policie 35-vjeçar i Nëndrejtorisë së Policisë së Mykonos dhe një Shef Policie 43-vjeçar i caktuar në Departamentin e Policisë së Akarnasit. Bashkëpunëtorë civile të grupit ishin 43-vjeçar i kërkuar, një shqiptar 24-vjeçar dhe motra e tij 29-vjeçare, partnerja e kreut të grupit si dhe dy persona të tjerë nga Shqipëria. Në të njëjtën dosje, akuzohen edhe 13 persona të tjerë, përfshirë një Shef Policie i cili shërben në Departamentin e Policisë Pydna-Kolindros, por gjatë periudhës së hetimit ai shërbente në Nëndrejtorin e Policisë së Mykonosit.
Midis emrave të hetuar, janë tre individë me precedentë të rëndë kriminalë, emrat e të cilëve u përfshinë edhe në dosjen e madhe që heton vrasjet e katër anëtarëve të mafias grekë të cigareve të udhëhequr nga i shumëkërkuari “Entik”, i cili fshihet në Dubai./ZËRI