
LUSHNJË-Marin Leka, 38 vjeç është arrestuar në Lushnjë pasi dyshohet se i premtoi para një personi për t’i marrë votën. Gjithçka nisi pas denoncimit në komisariat të një qytetari, se një person i quajtur Marin Leka me banim në Lushnjë, i kishte premtuar t’i jepte para, në total 50 mijë lekë të reja nëse ai dhe familja e tij, votonin më 11 maj, për një subjekt politik. Si "garanci" i kishte marrë kartën e tij të identitetit. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, efektivët e Lushnjës, kryen kontroll në banesën e 38-vjecarit, ku gjetën kartën e identitetit të denoncuesit Muharrem Toska. Arrestimi i Lekës, siç njofton zyrtarisht Policia, u bë nën dyshimet për dy vepra penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje" dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”.
Vetë i arrestuari Marin Leka mësohet se e ka pranuar që ka marrë kartën e qytetarit, e cila iu gjet në banesë, me premtimin se do i jepte para në këmbim të votës, por nuk ka treguar se për cilin subjekt politik e kërkoi votën e tij dhe të familjes. Pretendimet se vota do të shitej për Partinë Demokratike është bërë nga kallëzuese Muharrem Toska.
Njoftimi i policisë:
I premtoi një shtetasi, dhënien e një shume parash, dyshohet për t’i blerë votën në interes të një subjekti politik, vihet në pranga 38-vjeçari. Sekuestrohet karta e identitetit e shtetasit që i ishin premtuar paratë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 38 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje" dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”.
Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dyshohet se shtetasi M. L. i ka marrë një shtetasi, kartën e identitetit, si dhe i ka premtuar dhënien e një shume parash, dyshohet me qëllim blerjen e votës në favor të një subjekti politik, pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.
Krimet elektorale janë në kompetencën e SPAK, ndaj Prokuroria e rrethit Fier e delegoi çështjen pranë Strukturës së Posaçme, ndërsa në lidhje me rastin një reagim ka ardhur edhe nga Partia Demokratike në qarkun e Fierit. PD ka mohuar të ketë lidhje me rastin e krimit zgjedhor dhe ka kërkuar hetim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Sipas tyre, e gjitha është një skemë e ngritur nga Partia Socialiste për t'i sulmuar para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. /ZËRI