Aktualitet

Dyshohet një dëm financiar prej 700 mijë €, shkarkohet drejtoresha e Postës në Durrës dhe kallëzohet në Prokurori

Përmes një njoftimi zyrtar, Posta Shqiptare bën me dije se kontrolli u ndërmor pas parregullsive të konstatuara në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave, duke theksuar se ato nuk kanë lidhje me fondet e pensioneve apo pagesat e pensionistëve.

zh.ll
Dyshohet një dëm financiar prej 700 mijë €, shkarkohet
Elisabeta Mataj,

DURRËS- Drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, është shkarkuar nga detyra dhe është kallëzuar në Prokurori nga vetë institucioni, pas konstatimit të disa parregullsive gjatë një kontrolli të brendshëm.

Përmes një njoftimi zyrtar, Posta Shqiptare bën me dije se kontrolli u ndërmor pas parregullsive të konstatuara në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave, duke theksuar se ato nuk kanë lidhje me fondet e pensioneve apo pagesat e pensionistëve.

Kallëzimi penal është depozituar për disa punonjës të filialit në Durrës, të dyshuar si përgjegjës për parregullsitë e konstatuara, teksa bëhet me dije se ndaj tyre janë marrë masat administrative.

Sipas burimeve, dyshohet për një abuzim financiar me vlerë rreth 700 mijë euro. Por ka dyshime se ky dëm mund të shkojë deri në 3 mln euro, megjithëse nuk është verifikuar ende.

Ndërkohë, po sipas të njëjtave burime, ka dhënë dorëheqjen edhe drejtuesja e Financës së filialit të Durrësit, Valbona Hoti Duni.

Deklarata e Postës Shqiptare

Posta Shqiptare sh.a. informon opinionin publik se, në kuadër të mekanizmave të saj të kontrollit të brendshëm dhe procedurave të monitorimit financiar, Drejtoria e Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike, bazuar në mospërputhje të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare, ka ushtruar një kontroll në Filialin Durrës.

Nga verifikimet e kryera janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Theksojmë se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.

Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës.

Posta Shqiptare po bashkëpunon plotësisht me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Vlerësimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm proceduralë i takojnë organeve kompetente të drejtësisë.

Ky rast dëshmon funksionimin efektiv të mekanizmave të kontrollit të brendshëm të Postës Shqiptare, të cilët mundësuan evidentimin e parregullsive dhe referimin e menjëhershëm të tyre nga vetë institucioni pranë organeve kompetente.

Posta Shqiptare mbetet e vendosur në zbatimin e një politike të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, shpërdorimit të detyrës apo abuzimit me fondet e institucionit. Integriteti, transparenca dhe mbrojtja e interesit publik mbeten prioritete të panegociueshme të institucionit.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB