Aktualitet

E bija shpëton shqiptarin nga dëbimi

Pasi kreu dënimin, ndaj tij u vendos dëbimi. Por vendimi u apelua.

k.m.
E bija shpëton shqiptarin nga dëbimi
Xhoni Leka

BRITANI E MADHE- Një shqiptar u dënua me 3 vite burg për shkak se drejtonte një fermë kanabisi. Por iu kursye dëbimi për shkak se gjykatësit dolën në përfundimin se vajza e tij do të mbetej "pa një model mashkullor". Sipas Dailymail, në vitin 2013, Xhoni Leka për herë të parë shkeli në tokën britanike dhe iu refuzua qëndrimi në disa raste përpara se të akuzohej për trafik droge. Pasi u kap së bashku me bashkëpunëtorin e tij Gjergji Braculla duke menaxhuar një fabrikë të madhe kanabisi me rreth 1300 bimë në Cumbria, ai u burgos me tre vjet e katër muaj.

Pasi kreu dënimin, ndaj tij u vendos dëbimi. Por vendimi u apelua për shkak se 'baroni i drogës' pretendonte se kthimi në atdheun e tij do të shkelte të drejtën e tij për nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut - të drejtën për një jetë familjare. Kështu që Gjykata e Emigracionit anuloi urdhrin fillestar të "Home Office" për deportimin e Lekës, duke thënë se vendimi do të ishte 'tepër i ashpër' për vajzën 4-vjeçare. 

Gjyqtarët Fiona Lindsley dhe Mark Symes dolën në përfundimin se Leka luan një rol kyç në jetën e fëmijës së tij. Sipas tyre, ai i jepte një siguri financiare dhe emocionale të bijës, ndaj dëbimi i Lekës do t'i shkaktonte 'dëm serioz' fëmijës sepse do t'i duhej që të shkonte në Shqipëri bashkë me të atin për të braktisur vendlindjen e saj. Po ashtu, gjyqtarët vlerësuan se edhe gruaja e tij, e cila është me nënshtetësi çeke, do ta kishte të vështirë të jetonte në vendlindjen e Lekës, pasi ajo nuk flet shqip dhe nuk ka familje për ta ndihmuar të natyralizohet.

Por nga ana tjetër, Home Office tha se nuk ka prova se vajza e shqiptarit do të "dëmtohej" nga dëbimi i Lekës. Edhe për të shoqen thanë se ajo ishte ndihmuar nga miqtë e bashkëshortit kur ai kishte përfunduar në pranga dhe kishte përfituar ndihma sociale nga shteti. Megjithatë, Dhoma e Emigracionit dhe Azilit të Gjykatës së Lartë përcaktoi se dëbimi i Lekës do të shkelte të drejtën e tij të Nenit 8. Ndaj në këto kushte, e drejta e familjes prevalon mbi interesin për ta kthyer shqiptarin në vendin e tij të lindjes në Ballkan./ZËRI

Poll

MOS HUMB