BRUKSEL-Në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Brukselit, po mbahet gjyqi ku do të gjykohen për vrasjen e Ardit Spahiut, Franc Gergely Çopja bashkë me tetë të tjerë. Por procesi i Gjykatës së Krimeve të Rënda në Bruksel, kundër Franc Çopjas (33 vjeç) është pezulluar. Mediat vendase raportojnë se shkak për pezullimin është bërë konstatimi i disa 'morrave të shtratit' në sallën e gjyqit.
“Të hënën në mëngjes, një nga anëtarët e jurisë vuri re se një morr shtrati i ishte ngjitur në krah. Kur seanca rifilloi pas pushimit të drekës, kryetarja e trupit gjykues vendosi ta pezullojë procesin për 24 orë, në mënyrë që të merren masa”– raportojnë mediat.
“Kjo shkon shumë larg”, është shprehur gjykatësja Isabelle de Saedeleer, duke iu referuar problemeve të shumta me të cilat përballet vazhdimisht sistemi i drejtësisë.
“Nuk dua të vë në rrezik anëtarët e jurisë, avokatët, të pandehurit apo këdo tjetër.” , deklaroi ajo duke kërkuar të gjithë të përfshirëve që t’i lajnë rrobat në 60 gradë ose t’i vendosin në frigorifer. Zhvendosja e gjyqit në një sallë tjetër gjyqi rezulton gjithashtu e pamundur. Gjykata e Krimeve të Rënda në Pallatin e Drejtësisë të Brukselit në Poelaertplein nuk është e disponueshme, ashtu si edhe salla zyrtare e Gjykatës së Apelit të Brukselit.
Procesi i filluar më 9 janar ka të bëjë me vrasjen brutale të Ardit Spahiut, e kryer në mes të ditës, në rrugë, në Bruksel më 27 nëntor 2021. Sipas prokurorisë federale, vrasja ishte një larje hesapesh mes dy klaneve mafioze, dhe nëntë persona po gjykohen në ndërtesën ‘Justitia’, ish-ndërtesat e NATO-s në Evere.
Spahiu u qëllua me armë zjarri në një atentat më 27 nëntor 2020, ndërsa ndodhej si pasagjer në një automjet. Ai arriti të largohej fillimisht, por u ndoq në këmbë nga dy persona të maskuar, të cilët e ekzekutuan. Hetimi për vrasjen e Spahiut mori hov pas dekriptimit të platformës SKY ECC. Në fund u identifikuan nëntë të dyshuar, përfshirë Franc Gergelyn, figurë kyçe e klanit Çopja. Sipas policisë federale, ai dhe vëllezërit e tij vepronin nga Dubai dhe merreshin me trafik kokaine mes Amerikës së Jugut dhe Evropës.
Ardit Spahiu nuk ishte i panjohur për botën e krimit. Ai ishte i përfshirë në trafikun e drogës dhe në vitin 2010 u arrestua nën dyshimin për përfshirje në një vrasje në qytetin e tij të lindjes, Elbasan. Spahiu i përkiste klanit Alibej, i cili prej vitesh ishte në konflikt me klanin rival Çopja.
Pas vjedhjes së 49 kilogramëve kokainë nga një apartament i klanit Çopja në Londër, dhuna mes dy grupeve kriminale u përshkallëzua. Dosja është e mbushur me vrasje me pagesë të kryera nga të dyja palët. Vrasja e Ardit Spahiut, i cili në vitin 2019 u arratis në Belgjikë nga frika për jetën e tij, konsiderohet si një vazhdim i konfliktit mes këtyre dy klaneve. Franc Çopja është krimineli i parë i drogës që është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Belgjikë. Ai ndodhet në paraburgim në Belgjikë që nga fundi i vitit 2023 dhe dyshohet se ka dhënë urdhrin për vrasjen e Ardit Spahiut./ZËRI
