LUSHNJE-Një ngjarje e pazakontë dhe shqetësuese është regjistruar në qytetin e Lushnjes, ku dyshohet se janë vjedhur eshtrat e një gruaje të ndarë nga jeta prej 17 vitesh. Kanë qenë punonjësit e shërbimit të varrezave, të cilët kanë konstatuar varrin e hapur.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e policisë kanë mbërritur në vendngjarje, duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve. Sipas informacioneve paraprake, autorët kanë hapur një tunel të madh nën tokë për të depërtuar në varr.
“Rreth orës 10:00, roja i varrezave të qytetit të Lushnjës, shtetasi O. R., ka konstatuar dëmtime në pjesën e sipërme të një varri. Paraprakisht dyshohet se varri është dëmtuar (gërmuar), nga shtetasi E. N., 36 vjeç, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin E. N., në ambjentet e Komisariatit për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e rrethanave të rastit”, njofton policia.
Pritet që të mblidhen provat dhe të verifikohen pistat e mundshme.