Aktualitet

E riktheu në krye të Bashkisë! Veliaj sërish 'me sytë' nga Kushtetuesja: Të shfuqizohet arresti me burg

Sipas kërkesës, masa e 'arrestit me burg' është anti-Kushtetuese.

F.I
E riktheu në krye të Bashkisë! Veliaj sërish 'me
Erion Veliaj

TIRANË-Mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit arrest me burg ndaj funksionarit publik. Sipas kërkesës, masa e 'arrestit me burg' është anti-Kushtetuese. Avokatët e Veliajt kërkojnë shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, të Apelit të Posaçëm dhe të Gjykatës së Lartë, të cilat e kanë lënë në fuqi këtë masë sigurie.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga post i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës. Konkretisht Gjykata vlerësoi se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria kanë vepruar në shkelje të Kushtetutës kur shkarkuan Erion Veliajn me argumentin se nuk u paraqit 3 muaj në detyrë. Gjykata arsyetoi se Qeveria ka shkelur të drejtën kushtetuese të Veliajt për një proces të rregullt ligjor, pasi ai nuk është njoftuar dhe nuk është dëgjuar përpara vendimit për shkarkim.

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll

MOS HUMB