Aktualitet

Atentati ndaj 'Julit të Pashakos', shoqërohen 30 persona, anëtarë të grupit të Aldo Bares dhe fisit Aliçka

Të shoqëruarit kanë mohuar përfshirjen në ngjarje

F.I
Atentati ndaj 'Julit të Pashakos', shoqërohen 30 persona,
Aldo Bare dhe Julian Sula

LUSHNJË-Policia e Lushnjës ka shoqëruar mbi 30 persona për atentatin ndaj Julian Sulës, i njohur si Juli i Pashakos, ngjarje e ndodhur mesditën e 25 nëntorit. Pjesa më e madhe e tyre janë anëtarë të grupit të Aldo Bares dhe fisit Aliçka në Lushnjë, pjesëtarë të 2 fiseve të cilët vitet e fundit kanë pasur konflikte të shumta me 45-vjeçarin Sulo.

"Juli i Pashakos” nga të gjithë njihet si një nga kundërshtarët e betuar të Aldo Bares, pjesëtarit të bandës së Lushnjes. Pistat ku po hetohen janë disa duke nisur nga e kaluara e Julian Sulës në vitin 1997 e deri më sot, si lidhjet e tij me trafikun e drogës, dhe bizneset. Të shoqëruarit kanë mohuar përfshirjen në ngjarje dhe janë lënë të lirë.

Sula është shoqëruar në polici edhe në vitin 2017, si i dyshuar për përfshirje në një atentat në tetor të atij viti ku mbetën të vrarë dy persona, miq të nipit të Bares, Xhulio Shkurti, i cili ishte edhe shënjestër e atentatit. Konkretisht Sula ishte ndër të dyshuarit për atentatin ku u vranë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, miq të nipit të Aldo Bares, por ai para hetuesve deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me këtë krim. Ai u la i lirë për mungesë provash.

Persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi mesditën e 25 nëntorit drejt automjetit të 45-vjeçarit Julian Sula. Dy autorët e kapur nga kamerat e sigurisë me kapele dhe të maskuar kanë dalë nga mjeti me kallashnikov në duar dhe kanë qëlluar drejt automjetit tip 'BMW', në të cilin ndodhej 'Juli i Pashakos'. Pas atentatit autorët u larguan drejt fshatit Lifat aty ku braktisën mjetin me targa greke dhe i vunë flakën.

Hetimet kanë zbuluar se automjeti i përdorur nga autorët ishte vjedhur në vitin 2022 në Greqi, ndërsa targat ishin vjedhur një vit më parë, po në Greqi, por në qytete të ndryshme. Autoritetet greke, në përgjigjet e dërguara Policisë së Fierit, kanë konfirmuar se bëhet fjalë për vjedhje pa autorë dhe ngjarje të pazbardhura./ZËRI

Poll

MOS HUMB