
HIMARË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në zonën bregdetare të Gjipesë! Një turist gjerman është lënduar rëndë pasi është goditur nga helika e një skafi që kishte dalë nga perimetri i sigurisë. Sipas informacioneve të para të bëra me dije nga Policia e Shtetit, drejtuesi i mjetit lundures, Krenar Velaj ka qenë i vendosur jashtë zonës së sigurisë dhe në një distancë të konsiderueshme nga tapat që kufizojnë zonën e notimit. Por me helikat e mjetit të tij ka dëmtuar një 46-vjeçar gjerman që ishte duke bërë zhytje pranë mjetet lundrues. Turisti është lënduar nga helikat dhe ka qenë 27-vjeçari, ai që e ka nxjerrë në breg dhe e ka transportuar me urgjencë në qendrën shëndetësore të Himarës.
Por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, bluzat e bardha kanë thirrur me urgjencë edhe një helikopter për ta transportuar të plagosurin drejt spitalit të Traumës në Tiranë. Por ende nuk dihen detaje lidhur me gjendjen e tij shëndetësore. Aktualisht, drejtuesi i mjetit është shoqëruar për t'u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen, ndërkohë që po pyeten edhe disa dëshmitarë okularë.
"Grupi hetimor vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij incidenti të rëndë që ka tronditur plazhistët në Gjipe,"-njofton Policia.
NJOFTIMI I POLICISË:
Himarë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 13:40, në plazhin e Gjipesë, dyshohet se shtetasi K. V., 27 vjeç, banues në Orikum, duke drejtuar një mjet lundrues gomone me dokumentacion të rregullt, jashtë zonës së sigurisë dhe në një distancë të konsiderueshme nga tapat që kufizojnë zonën e notimit, ka dëmtuar, gjatë kohës që ishte duke bërë zhytje në afërsi të mjetit lundrues, shtetasin D. S., 46 vjeç, banues në Gjermani.
Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Dhërmi, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë ndërhyrë duke i dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit dhe më pas kanë organizuar transportimin e tij të menjëhershëm drejt spitalit, për ndihmë mjekësore. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë bërë shoqërimin e drejtuesit të mjetit lundrues, shtetasit K. V., në Stacionin e Policisë Dhërmi, si dhe të personave të tjerë që kanë qenë dëshmitarë në këtë ngjarje. Vijon puna e grupit hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje./ZËRI