Aktualitet

'E vërteta për aeroportin e Vlorës'/ Avokati i ortakut të Pacollit: Negocioi kredinë 100 mln euro pas shpine

Masa nga Gjykata ka për qëllim mbrojtjen e aksioneve dhe të shtetit shqiptar.

F.I
'E vërteta për aeroportin e Vlorës'/ Avokati i ortakut
Behgjet Pacolli dhe avokati Besnik Berisha

TIRANË-Besnik Berisha, avokat i Valon Ademit, administratorit të kompanisë “2A Group” në pronësi të biznesmenit Valon Ademi, që është bashkëaksionere në aeroportin e Vlorës ka dhënë detaje për konfliktin me biznesmenin nga Kosova Behgjet Pacolli. Thelbi i konfliktit të dy ortakëve në ndërtimin e aeroportit ka qenë ndarja e aksioneve, ku Ademi zyrtarisht ka 2% të tyre, por pretendon 47%. 

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, avokati ka deklaruar se kulmi i përplasjeve nisën pasi Pacolli mori një hua 100 milionë euro të cilat nuk kanë përfunduar në Shqipëri.

Sipas tij marrëveshja me “2A Group” ishte në rregull ku kompania do të kishte 49 % të aksioneve, ndërsa Pacolli 51%. Avokati tregon se konfliketet nisën kur hyri një aksioner i tretë që nuk e dinin kush fshihej pas. Sa i përket hetimit për aeroportin e Vlorës, Berisha ka sqaruar se kontrollin nuk e ka më Pacolli, por është pezulluar nga gjykata deri në kalimin e 47 për qind të aksioneve, sepse 2 për qind i ka '2A Group'. Masa ka për qëllim mbrojtjen e aksioneve dhe të shtetit shqiptar.

Besnik Berisha, avokat i Valon Ademit, administratorit të kompanisë “2A Group”: 

Nuk kemi konflikt personal me Pacollin, por subjektin që ka 81 për qind të aeroportit të Vlorës për kontratën që ka garantuar fillimin e bashkëpunimit. Bashkëpunimi me zotin Pacolli nuk ka qenë për të fituar një tender.

Zoti Pacolli ka hyrë vetë i treti në tender, me 58 për qind, kompania turke dhe Valon Ademi atëherë me 2 për qind. Turqit në mungesë të fondeve u tërhoqën dhe aksionet e tyre kanë kaluar te MABCO Construksion. Të njëjtën ditë është lidhur marrëveshja mes z. Pacolli dhe z. Ademi. Dakordanca ka qenë 50 me 50, por është lënë 49 me 51. Marrëveshja ka qenë në të njëjtën ditë sepse z. Pacolli nuk ka qenë i përgatitur financiarisht këtë si proces.

E gjitha puna në aeroportin e Vlorës kanë qenë punëtorët, menaxherët dhe inxhinierët e 2A Group. Kur është bërë gjithçka, 2A Group ka kryer punë që llogariten në mbi 23 milionë, bashkë me kapitalin e investuar dhe kredinë e marrë te BKT në Shqipëri. Aeroporti për shumën 56 milionë euro ka qenë i ngarkuar si hipotekë në BKT. Banka është informuar gojarisht se nuk është vetëm Pacolli si aksioner dhe aq më pak me 98 për qind dhe janë dy aksionerë, njëri 2A Group me 49 për qind dhe Pacolli me 51 për qind.

Deri këtu punët ishin në rregull, madje, aeroporti u testua dhe u bë një farë përurimi ku mori pjesë kryeministri, z. Pacolli që erdhi me aeroplanin e tij dhe valon Ademi, themelues i 2A Group. Partneri ynë është sjellë sikur ka 98 për qind dhe jo sikur edhe një partner tjetër me 49 për qind. Marrja e huasë në Luksemburg është kulmi i alarmit jo vetëm për investimin e 2A Group por edhe çështjen kombëtare.

“2A Group” me kontratën e noterizuar dhe autorizimit që ka dhënë ato aksione do të regjistrohen në QKB. Shqetësimi është shtuar kur është futur një kompani tjetër, ofshore dhe nuk e dimë se kush qëndron prapa. Ai ka negociuar prapa shpinës së ortakut. Për ekzistencën e kompanisë 2A Group, është alokuar një shumë 100 milionë euro, 6 milionë janë çuar në shtetin shqiptar, por jo për aeroportin dhe shteti shqiptar nuk ka qenë në dijeni dhe këto mjete kanë ardhur në Kosovë.

Është hapur një llogari tjetër në Kosovë e MABCO Construksion në Kosovë, një degë e shoqërisë në Zvicër dhe kjo kompani është bërë fole në shumës 40 milionë euro që ka ardhur në Kosovë. Me z. Pacolli nuk ka konflikt personal, aksionet nuk i merr askush kur janë të paguara dhe të investuara. Kontrollin nuk e ka më z.Pacolli, por është pezulluar nga gjykata deri në kalimin e 47 për qind të aksioneve, sepse 2 për qind i kemi. Masa ka për qëllim mbrojtjen e aksioneve dhe të shtetit shqiptar.

Poll

MOS HUMB