TIRANË-Gjykata e Lartë i ka dhënë fund betejës së gjatë ligjore të ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, kundër Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjykata ka vendosur përfundimisht në favor të Nanos dhe duke lënë në fuqi detyrimin që shteti t’i paguajnë dëmshpërblim në masën e 100 milionë lekëve të vjetra, pas shkarkimit të tij nga detyra.
Në vendim Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga qeveria dhe ministria e Brendshme, të cilat nuk pranonin vendimet e shkallëve të tjera të gjyqësorit që i dhanë të drejt Nanos për shkarkimit të tij gati 11 muaj pasi e kishte marrë detyrën e kreut të Policisë së Shtetit.

Konflikti nisi në gusht të vitit 2022, kur kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm i asaj kohe, Blendi Çuçi, firmosën shkarkimin e Gledis Nanos vetëm 11 muaj pasi ai kishte marrë drejtimin e uniformave blu. Qeveria pretendoi në atë kohë se objektivat e vendosura nuk ishin përmbushur, por Nano e konsideroi këtë lëvizje si një akt të pabazuar në ligj dhe vendosi ta kërkonte të drejtën e tij në rrugë gjyqësore.
Në thelb të çështjes ishte kërkesa e Nanos për shfuqizimin e vendimit nr. 580, datë 31.08.2022 të Këshillit të Ministrave, si dhe detyrimin e tyre për ta trajtuar me pagë deri në përfundim të mandatit 5-vjeçar, ose për ta sistemuar në strukturat e Policisë së Shtetit apo funksione të tjera./ZËRI
