Aktualitet

Mashtrim me investimet në bursa! Goditet tjetër 'Call Center' në Tiranë, 2 administratorët kapen në flagrancë

Operatorët, të cilët mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive u kapën në flagrancë në apartament, gjatë ndërhyrjes nga Policia.

F.I
Mashtrim me investimet në bursa! Goditet tjetër 'Call
pamje nga godina

TIRANË-Një tjetër call center është goditur në Tiranë, ku kryehej mashtrimi i qytetarëve për të investuar në bursa fiktive. Pika e call centerit ndodhej në një apartament në rrugën “Sulejman Delvina”. Në pranga janë vendosur 2 administratorët e call centerit mashtrues, Argest Rushi dhe Leonard Maksutaj, ndërsa 12 operatorë po hetohen në gjendje të lirë. 

Operatorët, të cilët mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive u kapën në flagrancë në apartament, gjatë ndërhyrjes nga Policia. Gjatë aksionit janë sekuestruar 19 njësi kompjuterike, 2 aparate celularë dhe 1 DVR.

Njoftimi i policisë:

Goditet një tjetër rast i mashtrimit ndërkombëtar nëpërmjet bursave fiktive.

Zbulohet gjatë operacionit policor të koduar “Fasada” një apartament i kthyer në call center.

Operacioni nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.

Vihen në pranga 2 shtetas, të cilët administronin ambientin e përshtatur për call center, përmes të cilit mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive.

Procedohen në gjendje të lirë 12 shtetas (operatorë).

Sekuestrohen 19 njësi kompjuterike, 2 aparate celularë dhe 1 DVR.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, pas informacioneve të siguruara së fundmi, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Fasada”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në apartamentin në rrugën “Sulejman Delvina”, i cili ishte përshtatur si call center, ku kanë kapur në flagrancë shtetasit A. R. dhe L. M., si dhe 12 operatorë, të cilët mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive.

Nga hetimet rezultoi se apartamenti ishte marrë me qira nga shtetasi A. R., i cili, në bashkëpunim me shtetasin L. M., e administronte këtë ambient me qëllim zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u vunë në pranga shtetasit A. R., 44 vjeç, dhe L. M., 26 vjeç, administratorë të ambientit.

Si dhe u proceduan penalisht 12 shtetas, operatorë, të cilët u kapën në flagrancë në apartament, gjatë ndërhyrjes nga Policia.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie të paligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të goditur çdo formë të kriminalitetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, si dhe për të mbrojtur qytetarët, brenda dhe jashtë vendit.

Para pak ditësh gjatë një aksioni në kryeqytet u goditën 3 qendra Call-Center, i cili çoi në arrestimin e 7 personave dhe të tjerë të shpallur në kërkim. Konkretisht 7 persona me masë 'arrest me burg', 2 në 'detyrim paraqitje' dhe 'ndalim jashtë vendit', si dhe 5 të tjerë të arrestuar në flagrancë. Hetimet 2 vjeçare, kanë nisur në Austri, aty ku ishte kryer veprimtaria kryesore e mashtrimit dhe operacioni u bë bashkë me SPAK dhe Policinë e Shtetit. Sipas hetimeve, kjo veprimtari u ka shkaktuar viktimave humbje që dyshohet se tejkalojnë 50 milionë euro.

Po ashtu një tjetër godinë u zbulua në fshatin Bërzhitë ku kryhej mashtrimi i qytetarëve të huaj dhe një tjetër në ambjentet afër shkollës "Sami Frashërit"./ZËRI

Poll

MOS HUMB