Aktualitet

Ekzekutimi i punonjësit të portit në Spanjë, 200 mijë euro vrasësve shqiptarë për “kokën” e tij

Nga burgu, ai dyshohet se ka dhënë urdhrin për të ekzekutuar Bubito në shenjë hakmarrjeje për një atentat të mëparshëm ndaj tij.

F.I
Ekzekutimi i punonjësit të portit në Spanjë, 200 mijë
pamje nga vendngjarja

SPANJË-Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me David Caballeros alias Bubito, punonjës porti i cili u ekzekutua me dy të shtëna me armë zjarri në pjesën e pasme të kokës teksa po hante mëngjes në tarracën e një lokali në Montgat, në nëntor 2024.

Mediat e huaja raportojnë se një rrjet trafiku droge që operon në portin e Barcelonës qëndron pas vrasjes së David Caballero. Ekzekutimi u krye nga vrasës shqiptarë të cilët dyshohet se ishin paguar 200,000 euro për të kryer punën. 

Garda Civile ka arritur të zbardhë komplotin falë përgjimeve, të cilat i kanë lejuar të identifikojnë pesë persona të përfshirë në komplot. Organizatori i dyshuar pas krimit është JC, alias Lucky, një bos droge i cili aktualisht është në burg. Nga burgu, ai dyshohet se ka dhënë urdhrin për të ekzekutuar Bubito në shenjë hakmarrjeje për një atentat të mëparshëm ndaj tij. Ekzekutimi dyshohet se është kryer nga një grup vrasësish shqiptarë. Për më tepër, Lucky i kishte shitur Bubitos një shtëpi në Cabrera de Mar. 

Nga përgjimet u zbulua gjithashtu se Bubito kishte tentuar të vidhte klientë nga rrjeti i trafikut të drogës që drejtohej nga Lucky dhe se personi i ekzekutuar ishte "një informator policie". 

Vrasja e punonjësit të portit u krye më 15 nëntor 2024, por plani për t’i dhënë fund jetës së tij filloi të merrte formë një muaj e gjysmë më parë, më 1 tetor. Garda Civile regjistroi një bisedë me një bashkëpunëtor, ku referenca e parë u bë për sulmin ndaj Bubitos.

“Po vjen një shqiptar për ty”, i thotë një nga bashkëpunëtorët e Luckyt. Jam i sigurt se Bubito është brenda sepse më ka borxh nga shtëpia dhe se ka humbur disa punë duke punuar me shqiptarët” (ka humbur disa ngarkesa droge), përgjigjet shefi duke urdhëruar: “Duhet të shkojmë pas Bubitos”.

Përgjimet janë bërë të mundura nga një gjyqtar nga Lleida, i cili po heton rrjetin e drejtuar nga Lucky, duke qenë se një prej kompanive të lidhura me të ndodhet në një zonë industriale në këtë qytet. Në kuadër të këtij operacioni, Garda Civile ka arrestuar 25 persona në periudhën dhjetor-janar dhe ka sekuestruar 7 ton kokainë, 6 milionë euro cash dhe armë të ndryshme, mes tyre edhe një AK47./ZËRI

Poll

MOS HUMB