SARANDË-Pas atentatit të ndodhur më 20 shtator në Sarandë, ku mbeti i vrarë 44-vjeçari Artan Myrtaj dhe u plagos kalimatri Xhevdet Skëndaj, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një sërë masash, duke ngritur një grup të posaçëm me ekspertë të strukturave qendrore për rivlerësimin e situatës kriminale në qytet.
Policia njofton se masat janë ndërmarrë pas takimit të zhvilluar një ditë më parë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita me drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë.
Grupi i posaçëm përbëhet nga ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit të Sigurisë Publike, të cilët do të kryejnë një analizë të thelluar të situatës kriminale në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe strukturat hetimore të Komisariatit të Sarandës. Policia ka nisur gjithashtu rivlerësimin e performancës së gjithë zinxhirit drejtues të komisariatit, si dhe të efektivëve të rolit bazë dhe atyre me funksione drejtuese.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të masave të marra për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur paraditen e datës 20.09.2026, në qytetin e Sarandës, dhe pas analizës së bërë pasditen e djeshme nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë, ju informojmë se:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Sigurisë Publike, me qëllim kryerjen e një rivlerësimi të plotë dhe të thelluar të situatës kriminale në rrethin e Sarandës, në bashkëpunim me DVP Vlorë, stafin drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe strukturat e tij hetimore.
Gjithashtu, po kryhet një rivlerësim i performancës së të gjithë zinxhirit drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë, si dhe i efektivëve të rolit bazë dhe të rolit të parë drejtues. Në bazë të performancës së tyre, do të ndërmerren veprimet e duhura.
Paralelisht, po punohet për krijimin e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe luftën kundër krimit të organizuar, si dhe për garantimin e mbështetjes së tyre me bazën e nevojshme logjistike.
Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet intensive hetimore, të koordinuara ngushtësisht me veprimet operacionale të shërbimeve të Policisë në terren.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të autorëve, si dhe për forcimin e mëtejshëm të sigurisë në territorin e Sarandës dhe në të gjithë vendin.