Aktualitet

Rama i kërkoi në tryezë, Kreu i Unionit të Gjyqtarëve: S'kemi marrë ftesë, por jemi për dialog! Sot çojmë në GJK ligin e ri për pagat

Hoxha theksoi se gjyqtarët janë pro dialogut dhe e konsiderojnë atë si rrugën për zgjidhjen e problematikave.

F.I
Rama i kërkoi në tryezë, Kreu i Unionit të Gjyqtarëve:
Edi Rama dhe Gerd Hoxha

TIRANË-Ashtu siç u njoftua, përfaqësues të shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, së bashku me Këshillin e Lartë Gjyqësor, pritet të depozitojnë sot kërkesën e radhës në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Lajmi u dha nga kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, teksa foli rreth thirrjes së kryeministri Edi Rama për një tryezë të përbashkët bisedimi rreth pagave të magjistratëve.

Gjyqtari Hoxha, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 deklaroi se nuk ka marrë asnjë ftesë për dialog nga Kryeministri Edi Rama, pas miratimit në Kuvend të ligjit të ri për pagat e magjistratëve me votat e mazhorancës. Megjithatë Hoxha theksoi se gjyqtarët janë pro dialogut dhe e konsiderojnë atë si rrugën për zgjidhjen e problematikave.

Ai deklaroi se gjyqtarët kanë kërkuar ndër vite ndërhyrje për statusin e magjistratëve dhe për garantimin e pavarësisë së gjyqësorit. Sipas tij, ata janë drejtuar disa herë Gjykatës Kushtetuese, jo për rritje pagash, por për të kundërshtuar uljen e tyre dhe për të kërkuar respektimin e standardeve të përcaktuara për statusin e magjistratëve. Kreu i i Unionit të Gjyqtarëve theksoi se statusi i magjistratëve, sipas tij, duhet të rishikohet edhe në aspekte të tjera, përfshirë strehimin, kujdesin shëndetësor dhe shkollimin e fëmijëve.

Gerd Hoxha: Nuk kam asnjë ftesë. Besoj se dhe kolegët e tjerë nuk kanë asnjë ftesë. Por dua të nënvizoj faktin se jemi pro dialogut. Është e vetmja rrugë që zgjidh problemet. Ne i dëgjojmë palët, i ftojmë që të dialogojmë. Ne i kemi ftuar këtu e 7 vite më parë për dialogim. Tri herë radhazi na janë mohuar diskutimet. Për funksionimin e së drejtës dhe pavarësisë së gjyqësorit, kemi qenë tri herë në Kushtetuese, për të kërkuar jo rritjen e pagave, por mosuljen. Parashikohej si element kyç i pavarësisë së gjyqtarëve paga. Këto momente do të depozitohet kërkesa e katërt e magjistratëve, e përpiluar nga shoqata e gjyqtarëve, e prokurorëve, KLGJ, për shfuqizimin e ligjeve që miratoi Kuvendi për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kërkesa kryesore: pezullim të zbatimit të këtij ligji. Kur kemi kërkuar dialog, kemi kërkuar që të jetë serioz dhe i mbështetur fort mbi një dysheme, që është vendosur me vendim. Ne kemi theksuar se nuk mund të negociojmë me Kushtetutën, që të respektohen vendimet e Kushtetueses apo jo.

Kuvendi miratoi me 84 vota pro projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e pagës referuese me 8,500 lekë. Ndërkohë qeveria ka përllogaritur edhe 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, të cilat do të shlyhen me këste brenda dy viteve. Pas miratimit të draftit të PS, kreu i qeverisë Edi Rama njoftoi se ka nisur punën për hartimin e një ligji të ri për ribalancimin e piramidës së pagave. Lidhur me ligjin e ri Rama bëri thirrje për një tryezë të përbashkët pune mes përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të tjera përgjegjëse. Takimi pritet të mbahet më 28 shtator./ZËRI

Poll

MOS HUMB