Aktualitet

Ekzekutohet për larje hesapesh shqiptari në Kolumbi, autori e pyeti për emrin pastaj e qëlloi

Dëshmitarët në vendngjarje kanë parë një të ri që është afruar me motoçikletë, e ka pyetur shqiptarin për emrin dhe pasi ka marrë konfirmimin ka qëlluar me armë drejt tij.

F.I
Ekzekutohet për larje hesapesh shqiptari në Kolumbi, autori e pyeti
Artur Tushi

KOLUMBI-Artur Tushi, 44 vjeç është ekzekutuar në qytetin e Medelinit në Kolumbi, ndërsa autori venezuelian ka rënë në prangat e policisë. Tushi nga fshati Raboshtë i Lezhës njihej edhe me pseudinimin 'Qoti'. Viktima, që posedonte dokumente ekuadoriane, u qëllua për vdekje pranë qendrës tregtare “Santa Fe” në zonën e njohur El Poblado.

Dëshmitarët në vendngjarje kanë parë një të ri që është afruar me motoçikletë, e ka pyetur shqiptarin për emrin dhe pasi ka marrë konfirmimin ka qëlluar me armë drejt tij. Mediat kolumbiane raportojnë se shqiptari u qëllua disa herë, ndërsa në trup ka të paktën 11 plumba, kryesisht në gjoks. Nga breshëria e plumbave mbeti e plagosur edhe një grua 77-vjeçare, ndërsa ende nuk dihet nëse ajo ishte në shoqërinë e viktimës apo thjesht një kalimtare e rastit.

"Përmes zyrës së Interpolit, ne kemi kërkuar informacione nga vende të ndryshme që do të kontribuojnë në identifikimin e tij të plotë dhe do të përcaktojnë nëse ky individ ka ndonjë të kaluar kriminale ose precedent penal. I ndaluari iu dorëzua Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe do të përballet me një vendim para një gjyqtari, duke u përballur me dënime të mundshme deri në 33 vjet burg", tha Gjenerali William Castaño, komandant i Policisë Metropolitane.

Paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur për larje hesapesh. Ndërkohë hetimet e InSight Crime tregojnë se rrjetet shqiptare janë një lojtar kyç në trafikun e drogës në Amerikën Latine, duke përdorur Ekuadorin si bazë kryesore për operacionet e tyre transatlantike. Këto grupe kriminale ballkanike kanë dërguar emisarë në Amerikën e Jugut për të negociuar drejtpërdrejt me prodhuesit e kokainës (siç janë disidentët e FARC-ut ose Urabeños në Kolumbi) për të siguruar çmimin më të ulët të mundshëm me shumicë./ZËRI

Poll

MOS HUMB