Aktualitet

Emrat- U ndaluan për protestën e opozitës, Gjykata e Tiranës liron dy persona

Prokuroria kishte kërkuar "arrest shtëpie" për të arrestuarit, ndaj në seancën e sotme, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e organit të akuzës.

k.m.
Emrat- U ndaluan për protestën e opozitës, Gjykata e Tiranës
Foto ilustruese

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia 2 të arrestuarit pas protestës së opozitës, e cila u mbajt më 7 tetor. Nga qelia janë liruar në "arrest shtëpie", Xhevahir Rrushi dhe Gentian Tuge. Ky i fundit, 47-vjeç, ishte i akuzuar për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Prokuroria kishte kërkuar "arrest shtëpie" për të arrestuarit, ndaj në seancën e sotme, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e organit të akuzës.

Në mbështetje të qytetarëve të arrestuar, në sallë ishin edhe deputetët opozitarë Petrit Doda dhe Qani Xhani. Pas marrjes së vendimit, në një prononcim për mediat, avokatja e tyre, Adriana Kalaja e cilësoi vendimin e togave të zeza antikushtetues dhe në kundërshtim me ligjin. Si personazh i angazhuar edhe në politikë pranë Partisë Demokratike, Kalaja shfrytëzoi mundësinë për të ftuar qytetarët për të marrë pjesë në protestën e radhës. 

"Parashtrimi i prokurorisë, ishte një dosje e stisur dhe për statistika, dosje me urdhra politikë për të ndaluar sa më shumë protestues që të intimidojnë opozitën dhe PD. Parashtruam fakte kushtetuese, se ka vendime unifikuese të Gjykatës së Lartë dhe atë Evropiane. Të dy masat që u pranuan nga gjykata janë antikushtetuese, shkelin të drejtat kushtetuese të dy protestuesve. Jemi mësuar tashmë me dy dosjet e Berishës dhe Salianjit. Kishin stisur dëshmitë dhe nuk lidheshin me ngjarjen. Parashtrimi i prokurorisë ishte i pa mbështetur në prova e ligj, ashtu sikurse dhe ai i gjykatës. Masat janë antikushtetuese për dy të ndaluarit pas protestës së opozitës. Vendimi i gjykatës ishte i pabazuar në ligj. Jemi në drejtësinë ku gjykata pranon çfarë i thotë prokuroria. Kjo se pengon aksionin e opozitës dhe PD. U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës e jo vetëm të na bashkohen sërish nesër para Bashkisë Tiranë. Ne do ia dalin sepse kemi me vete të drejtën dhe ato kushtetuese, që i kemi fituar dhe s’na i kanë dhuruar,"-tha Kalaja në fjalën e saj.

Pas arrestimit të Ervin Salianjit, opozita deklaron se ka nisur aktet e mosbindjes civile. Aksioni nisi në Kuvend dhe më pas në protestën e zhvilluar më 7 tetor. Qytetarët protestuan duke sulmuar me molotov institucionet publike, ku u përfshinë edhe disa të mitur. Nga përleshjet dhe incidentet gjatë protestës, 10 efektivë të policisë mbetën të plagosur, ndërkohë që nga flakët e molotovëve të lënduar mbetën dhe tre protestues./ZËRI

Poll

MOS HUMB