TIRANË- Një 38-vjeçar i dënuar me 7 vjet e gjysmë burg për shfrytëzim prostitucioni është arrestuar nga policia e Tiranës, në zonën e Liqenit të Thatë. Sipas policisë, 38-vjeçari Rezart Hyskollari është dënuar me burg nga Gjykata e Durrësit në vitin 2019për shfrytëzim prostitucioni. Nga ky dënim, 38-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 5 vjet burgim.
Njoftimi:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Dënimi”.
I dënuar me 7 vjet e gjysmë burgim, për shfrytëzim të prostitucionit, kapet në zonën e Liqenit të Thatë, dhe vihet në pranga 38-vjeçari.
Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, se një shtetas i shpallur në kërkim, fshihej në zonën e Liqenit të Thatë, finalizuan operacionin e koduar “Dënimi”.
Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Rezart Hyskollari, 38 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Durrësit, në vitin 2019, e ka dënuar këtë shtetas, me 7 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”. Nga dënimi, 38-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 5 vjet burgim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.