Aktualitet

'Kam një vëlla që mos e paça'! Dumani tha se e vrau dhe i shkoi në funeral, Petrit Qoli: S'isha në varrimin e Fatmirës

Mësohet se gjatë kësaj seance, Qoli është pyetur nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, ku ka dhënë detaje lidhur me aktivitetin e tij profesional ndër vite. 

F.I
'Kam një vëlla që mos e paça'! Dumani tha se e
Nuredin Dumani dhe Fatmira Dedja

TIRANË- Seanca e radhës për dosjen "Plumbi i Artë" është mbajtur këtë të enjte në GJKKO, ku ka dëshmuar i pandehuri Petrit Qoli, i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e Fatmira Dedës. Mësohet se gjatë kësaj seance, Qoli është pyetur nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, ku ka dhënë detaje lidhur me aktivitetin e tij profesional ndër vite dhe ka zbuluar të tjera detaje për ngjarjen e 2013-ës.

Sa i përket vrasjes së Fatmira Dedës, Qoli ka rrëfyer se ka takuar tre herë gjithsej, një prej të cilave në një karburant në zonën e Shkozetit që e ndjera e administronte së bashku me vëllanë e tij, Fatmirin. Petrit Qoli tregon më tej se nuk ka shkuar në varrim, ndërsa ditën e ngjarjes ai thotë se e ka marrë vesh nga mediat fillimisht. Lidhur me vëllanë e tij Festimin, i cili kërkohej nga policia si i përfshirë në ngjarje, Petrit deklaroi se e kishte takuar disa ditë pas ngjarjes. 

Në fund të dëshmisë, Petrit Qoli u shpreh se nuk e njeh Talo Çelën dhe asnjë nga kundërshtarët e Nuredin Dumanit.

Pjesë nga dëshmia:

-Keni dijeni për probleme me drejtësinë që mund të ketë patur Festimi?

Petrit Qoli: Nuk merresha me problemet e tij. Festimi është përgojuar që ka gjuajtur Titin, e ca të tjerë. Atij i pëlqente të njihej për këto. Është akuzuar për Loshin, për djalin e Fatmira Dedës. Por nuk e ka bërë.

-Kush është ky Loshi, i biri i Fatmirës?

Petrit Qoli: Vinte te anija ime, merrte naftë qyl. Loshi është bërë për rahmet. Nuk më vjen keq fare. E dëgjova në televizor. Fatmirën e kam takuar 3 herë në jetën time. Njoh Besnik Dedën, vëllain e Fatmirës, legjendë e kapitenëve të anijeve. I shkova për qokë për kafe ngushëllimi. Tre herë e kam takuar gjithsej Fatmirën. Një herë e takova te karburanti në Shkozet se merrja karburant aty. Festim Qoli e administronte këtë karburant me Fatmirën. E kishte blerë Festimi nga kush nuk e di. I ka shitur një Gëzimi më pas. Kur e ka blerë nuk e di. I ka marrë para borxh Loshit. Kujtim Hasa ka qenë menaxheri.

E ka blerë i vetëm në fillim vëllai. Më pas këta u ftohën, me Ervis Dedën, (Loshin) për dy vajza. Ata bënin jetë të shthurur.

Arsyeja e martesës së Loshit, studentja ka qenë e dashuruar. Loshi i kërkoi lekët që kishte marrë borxh Festimi, ky i tha kur t’i gjej do t’i jap.

Më tha Loshi mua që duhet të më japë lekët e karburantit. Nuk e di sa ishte shuma e lekëve. Nuk doja t’ia dija fare. Festimi nuk ma ka thënë, nuk kisha marrëdhënie të tillë me Festimin. Nuk e di kush e ka vrarë. Vetëm llafe njerëzish. Loshi ka vjedhur drogë thonë. Ca të tjerë që kishte florinj në makinë a drogë. Unë nuk rroj i mbyllur, prokuror, në Durrës rroj. Marrim vesh gjëra, të gjithë thonë ndonjë gjë. Historia e drogës filloi të flitet para se të vritej Mond Çekiçi. Kam respekt, më ka ardhur në shtëpi për iftar.

14 vjet duhet të ketë që është vrarë. E pashë te titrat e televizorit. E kishin nxjerrë foton. Kisha hallin e vëllait tim. Shkova te karburanti, nuk e gjeta në karburant. Gjeta punëtorët. E kam takuar vëllain pas 3 javësh. Shkova për ngushëllim pas të shtatave. Nuk e di ku ka qenë. Nuk ka qenë te prindërit. Nuk u interesova ku ishte. Nuk ka shokë të ngushtë në Durrës. Festimi i ka çuar tapi Fatmirës, si bashkëpronare, për arsye se Fatmira kishte deklaruar në polici që Festimi kishte vrarë Ervisin. Ma tha më pas Festimi këtë.

Kur vajtëm për ngushëllim me babain, Fatmira i tha më fal se kam akuzuar Festimin nga tronditja. Isha unë, Agroni, babai, mamaja. Festimi ishte në kërkim policor. Babai i tha Fatmirës, nuk ka gjë mjafton të gjendet kush e ka vrarë. E mora vesh që e kishte thënë në polici, e di sa miq policë kam unë o prokuror?

-E pyete Festimin pse të ka akuzuar Fatmira?

Petrit Qoli: Më tha dyshon se mos ngaqë jemi ftohur. Pasi Festimi i ka dërguar kontratën, tha që Fatmira u qetësua. E shkreta. Rahmet të ketë.

-Si është vrarë Ervisi si e zbulove?

Petrit Qoli: Ma thanë njerëzit.

-Cilët njerëz? Sa njerëz?

Petrit Qoli: Vëllai ma ka thënë, Festimi.

-Kush e vrau Fatmira Habilajn?

Petrit Qoli: Nuk kam shkuar në varrim. Nuk kam shkuar nga turpi i kapitenit, Besniku, vëllai i saj.

Di që vrasësi ka hyrë dhe ka marrë sende me vlerë. E kam dëgjuar në media. Është vrarë te garazhi ku kishte shtëpinë. Makina ishte e zezë, nuk e dalloj markën, e kishte të re akull, ia kishte blerë i biri.

Te pallati ku u vra, kam zyrat. Unë qenë me familjarët e mi. Isha në timon në Përrenjas, isha duke ikur në Pogradec. Më tha kushëriri im në telefon kanë vrarë nënën e Ervisit, kërkon policia Festimin. I thashë ç’më duhet mua me Festimin.

Festimin e kam takuar më pas. Nuk e mbaj mend sa kohë më pas. Pas vdekjes së të birit, Fatmira shkonte herë pas here te karburanti për ato llogaritë.

-Talo Çela ka qenë emër i dëgjuar për ju në vitet 2012–2013?

Petrit Qoli: Nuk e njoh, nuk kam folur kurrë në telefon. Nuk njoh asnjë nga hasmit e Nuredin Dumanit.

Fatmira Deda, u vra në vitin 2013 në moshën 60-vjeçare, teksa po futej në garazhin e një pallati pranë banesës saj në lagjen “Skëndërbej” në Golem. Ajo në atë kohë u godit me sende të forta në mënyrë që vrasja të dukej si një grabitje. Asaj një vit me parë i ishte ekzekutuar në mënyrë mafioze i biri, Elvis Deda, krim për të cilin ajo kërkonte drejtësi, dhe kishte bërë përpjekjet e saj për të vënë përpara përgjegjësisë autorët. I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka pretenduar se vrasja e Fatmirës është kryer nga Talo Çela, për llogari të Festim Qolit, për shumën e 40 mijë eurove./ZËRI

Poll

MOS HUMB